Ky sezon me siguri do të jetë i paharrueshëm për Amir Rrahmanin. Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës është kthyer menjëherë në një element të rëndësishëm për skuadrën e Veronës dhe falë paraqitjeve të tij siguroi edhe një transferim te Napoli në fund te sezonit.
Një hap shumë i rëndësishëm për lojtarin i cili ka treguar sot para gazetarëve ndjesitë e tij për këtë edicion të shkëlqyer që pak ditë më parë u kurorëzua me një sukses mbresëlënës ndaj Juventusit.
JUVENTUSI – “Pas fitores nuk kishte ndonjë festim të veçantë, por vetëm një gëzim të madh menjëherë pas ndeshjes pasi kemi vendosur një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit tonë, që të dielën në mëngjes ishim të gjithë të përqendruar te ndeshja ndaj Udinezes. Goli i Ronaldos? Edhe pse Ronaldo ka treguar në atë aksion se është një kampion i madh, me siguri mund ta mbroja më mirë”.
OBJEKTIVAT – “Objektivi ynë mbetet mbijetesa dhe ta arrijmë do të ishte një arritje e madhe. Për të gjitha të tjerat do të mendojmë më vonë. Ku dua të arrij? Por momentin dua të afirmohem në Serinë A, një kampionat me shumë prestigj. Pastaj do të dëshiroja të shënoja, nuk ia kam arritur ende edhe pse kam pasur raste të mirë, por jam i bindur se herët a vonë do të vijë edhe momenti im”.
GRUPI – “Ndjehem mirë me të gjithë shokët e skuadrës, jemi një grup i madh, mes nesh ka mirëkuptim dhe bashkëpunim. Në veçanti kam një raport shumë të bukur me Kumbulla, Radunoviç dhe Gunter”.
NAPOLI – “Në Kosovë vazhdojnë të shkruajnë se transferimi im te Napoli ka qenë më i shtrenjti në historinë e futbollit të vendit tonë. Por unë nuk e mendoj shumë, deri në qershor jam një lojtar i Veronës dhe jam krenar që vesh këtë fanellë dhe i vendosur që të mbyll sa më mirë këtë sezon”.
JURIÇ DHE TIFOZËT – “Trajneri më ka mësuar shumë gjëra, por sidomos të jem gjithmonë i përqendruar dhe të stërvitem. Tifozët tanë janë special, meritojnë respekt dhe vlerësim, e duan këtë skuadër dhe janë një nga pikat e forcës”.
INDIVIDËT – “Mendoj se Veloso është lojtari ëm i fortë i Veronës, ashtu si edhe ai që ka bërë golin më të bukur, flas për atë ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”. Kumbulla i fortë si De Ligt? Sigurisht, ndoshta edhe më shumë”.
ITALISHTJA DHE VERONA – “Kam dashur shumë që të mësoja gjuhën italiane, është një gjë e rëndësishme në shumë pikëpamje. Çfarë më pëlqen më shumë në Verona? Qendra historike, është e bukur dhe njëkohësisht qetësuese”.
UDINEZE – “Udineze është një skuadër e fortë, të cilën duhet ta përballim me shumë përqendrim dhe vendosmëri, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se do të jetë një ndeshje më e vështirë se ajo ndaj Juventusit”. /vipsport/