Amir Rrahmani qëndron prej javësh jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi dhe vetë mbrojtësi i Napolit dhe Kosovës, nuk e di ende me saktësi se kur do të kthehet në fushë.

Në një intervistë të dhënë për “Cronache di Napoli”, ai ka theksuar se nuk ka ndër mend të rrezikojë, ndonëse klubi dhe përfaqësuesja kanë ndeshje shumë të rëndësishme në javët në vijim.

“Jam më mirë, punoj që të kthehem sa më parë të jetë e mundur. Nuk e dimë ende se në cilën ndeshje do të ndodhë, por nuk duhet të rrezikojmë asgjë, pasi jam jashtë fushave prej një periudhë të gjatë”, tha fillimisht ai.

Më pas, Rrahmani foli për skuadrën e Napolit, duke u ndalur te afrimi i bujshëm i kësaj vere, Kevin De Bryjne.

“Një djalë i mbarë, inteligjent, i cili diti të hynte menjëherë në sintoni me pjesën tjetër të skuadrës, edhe falë dhomave të zhveshjeve që kemi ne. Këtu është një grup i hapur i cili e pret mirë këdo që vjen, Kevin është një lojtar thelbësor për ne, duke i qëndruar pranë, mund të çojmë më lart Napolin”, ishin fjalët e Rrahamanit.