Ish-futbollistja e Vllaznisë Uendi Muja, prej rreth një viti e gjysmë është transferuar së bashku me familjen në Francë, duke vijuar karrierën në Kategorinë e Dytë të shtetit transalpin.

Sulmuesja, e cila nesër feston 21 vjetorin, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për hapat e parë në botën e futbollit, si dhe rrëfen eksperiencën jashtë Shqipërisë.

Ajo shpreh gjithashtu keqardhjen që nuk ishte pjesë e Vllaznisë në kualifikimin historik mes 32 skuadrave më të mira në Champions. Ndërkohë, përveç talentit në futboll, Uendi njihet edhe si një prej femrave më të bukura shqiptare. E ëmbël dhe me linja perfekte, futbollistja seksi konfirmon dëshirën që ka për të qenë pjesë e botës së modelingut…

Uendi, si ju ka lindur pasioni për futbollin?

Si çdo fëmijë, edhe unë kam pasur shumë dëshira. Një ndër to ishte sporti i futbollit, gjë që me kalimin e kohës u bë pasion e deri në profesion.

E mbani mend golin e parë që keni shënuar me ekipin e të rriturave?

Po, sigurisht që e mbaj mend, golat janë një nga sukseset e çdo sportisti.

Si do ta përshkruani eksperiencën në Francë?

Është një kampionat ku ka konkurrencë shumë më të madhe dhe emocionet nuk mungojnë në asnjë ndeshje. Aktualisht luaj në Kategorinë e Dytë, ndërsa pres që në sezonin e ardhshëm të firmos me ndonjë prej ekipeve të Kategorisë së Parë.

Ju mungon Shqipëria? Keni menduar ndonjëherë të riktheheni?

Shqipëria është pjesë e zemrës sime, por kthimin në Shqipëri nuk e mendoj.

Vllaznia bëri një paraqitje historike në Champions, ju vjen keq që nuk ishit pjesë e atij grupi?

Dëshira ime, sikurse edhe e ekipit, ka qenë ecuria në Champions. Më vjen keq që nuk isha pjesë e arritjeve të skuadrës, por mbi të gjitha  kam qenë gjithashtu shumë e emocionuar dhe e lumtur për arritjet e Vllaznisë.

Cila është pika juaj më e fortë?

Karakteri.

Po ajo më e dobët?

Një vajzë me karakter të fortë nuk ka pika të dobëta (qesh).

Me cilën skuadër jeni tifoze?

Jam një fanse e Real Madridit.

Lojtari dhe lojtarja e preferuar?

Kristiano Ronaldo dhe Alex Morgan.

Çfarë ju pëlqen më shumë të bëni në kohën e lirë?

Të kaloj kohë me familjen dhe shoqërinë.

Çfarë ju pëlqen tjetër përveç futbollit?

I preferoj shumë të gjitha sportet, por një nga pasionet e mia më të mëdha është të udhëtoj.

Ju njiheni si një prej futbollisteve më të bukura shqiptare (dhe jo vetëm). Keni menduar ndonjëherë t’i futeni modelingut?

Po, e kam menduar dhe nuk kam hequr dorë nga kjo dëshirë…