“Me ken’ shkodran për s’mari t’tana i ban”, e kush tjetër veçse Erald Çinarit e di këtë? Njeriu i derbit te Partizani, planprishësi i llogarive të Kukësit është sa objektiv, aq dhe i veçantë në intervistën e dhënë enkas për newsport.al. I rritur në një ambient kampionësh siç është klubi i Vllaznisë, sulmuesi shkodran shkëlqeu në ato minuta që iu dhanë në këmbët e tij për 16-herë kampionët e Shqipërisë, Partizanin.
U projektua si titullar, por pjesën më të madhe të ndeshjeve u detyrua t’i niste nga stoli. Megjithatë ai s’u dorëzua asnjëherë. Këmbët i “hanin” për të qenë në fushë. Në fund? Shpërbleu besimin e të gjithëve, e veçanërisht të Dritan Dervishit dhe drejtorit Olsi Rama, siç ai thotë në intervistën e mëposhtme.
Për çdo shkodran, pika e dobët është skuadra e Vllaznisë që fatmirësisht sezonin e ardhshëm do të luajë në elitë. “Pa Vllazninë, elita është si ëmbëlsira pa sheqer”, është krahasimi i goditur i Çinarit kur pyetet për skuadrën tek e cila ai u formua dhe u bë ky që është sot. Në bisedën e tij nuk ka “doreza”, përkundrazi e thotë gjithçka ashtu si mendon.
Në fund jep verdiktin për Partizanin e Championsit, se sa larg dhe ku e sheh ekipin në këtë kompeticion madhor.
– Një sezon i vështirë futbollistik për Partizanin, por në fund shpërblehet me titullin kampion. Si ka qenë ky edicion për ju në aspektin personal?
E vërtetë. Ishte 1 vit punë e sakrificë dhe kur shpërblehet në fund, është diçka e mirë.
– Shumë pak minuta në këmbët tuaja, ndërkohë që me performancën në fushë keni treguar se duhej t’iu besohej më shumë. Mendimi juaj?
Në aspektin personal për minutat që kam pasur besoj se ka qenë pozitive deri diku. Po, është e vërtetë që sidomos 2 muajt e fundit kam bërë mirë, kam pasur më shumë hapësira dhe jam munduar të jap maksimumin. Besoj dhe jam i mendimit se duhej të kisha pasur edhe më shumë minuta për të treguar vlerat e mia.
– Si është marrëdhënia trajner – lojtar, për ju?
Marrëdhënia me trajnerin është e mirë. Është munduar të bëjë punën e tij, e unë punën time. Jam profesionist dhe më duhet t’i respektoj vendimet e tij.
– U afruat në limitet e merkatos së verës. 19 ndeshje të luajtura, 5 gola të shënuar. Kujt ia dedikoni suksesin e arritur me fanelën e kuqe?
Suksesin ia dedikoj një njeriu që nuk shfaqet por është gjithmonë aty, Dritan Dervishit. Të them të drejtën ishte Dervishi njeriu që më solli dhe këmbënguli që unë të jem këtu. Besoj dhe shpresoj se jam kam shpërbly edhe atij besimin që ka pasur te unë, presidentit por edhe drejtorit.
– Një nga njerëzit që kontribuoi për afrimin tuaj te Partizani, është edhe ish-drejtori Dritan Dervishi. Pas fitimit të titullit kampion, ai njeri s’u përmend fare nga askush në klub…
Edhe një herë, dua ta falënderoj Dritan Dervishin sepse ishte njeriu i vetëm bashkë me drejtorin që besuan nga fillimi e deri në fund te unë.
– Ju keni një kontratë me Partizanin deri në fund të këtij sezoni apo me një klauzolë tjetër? Deri kur do të jeni pjesë e të kuqve?
Nuk jam drejt fundit të kontratës sepse e kam thënë edhe më parë që kam firmosur një kontratë afatgjatë me klubin. Për momentin jam lojtar i Partizanit. Nëse ka ndonjë ofertë nga ndonjë skuadër jashtë vendit, gjithmonë nëse ka gjëra konkrete, do bisedoj me klubin dhe pastaj do të vendos.
– Do të pranonit një kontratë të re me më shumë të ardhura, por me minuta të njëjta si sezonin që lamë pas?
Jo, për mendimin tim është më mirë të kem minuta më shumë sepse jam i ri dhe më duhen më shumë minuta. Por, po u bënë të dyja bashkë është diçka edhe më e mirë. (Qesh)
– Çinari, njeriu i derbit, makthi i Kukësit dhe… talenti i djepit shkodran. Cilat janë pritshmëritë e tua në aspektin personal?
Shpresoj dhe uroj që të mos ndalem, të vazhdoj të shënoj, të kem më shumë minuta dhe të fitojmë sa më shumë trofe me klubin.
– Nga ndryshon trajneri Gega me teknikët e tjerë që ti ke punuar?
Çdo trajner ka filozofinë e tij dhe gjithësecili është i ndryshëm. Profesor Gega ka pikën më të fortë komunikimin.
– Keni qenë pjesë e U-21. A synoni të arrini Kombëtaren A?
Pse jo? Kombëtarja është një ëndërr për të gjithë lojtarët dhe e pres me padurim atë ditë.
– Vllaznia rikthehet në elitë. Do t’i bashkoheshit edhe njëherë ekipit shkodran?
Vllaznia rikthehet aty ku i takon. Kampionati pa Vllazninë është si ëmbëlsira pa sheqer.
– Me formën e treguar, a beson se do të kesh më shumë minuta në Champions League?
Besoj dhe shpresoj që do të kem. Por, në fund i mbetet trajnerit që të vendosë.
– Ku e sheh këtë Partizan dhe sa larg mund të shkojë në Europë?
Besoj se grupi është. Lojtarët janë. Të bëjmë maksimumin dhe të kemi pak fat me vete./newsport/