Kombëtarja e femrave të volejbollit të Shqipërisë do të drejtohet nga tekniku italian Luca Secchi. 44-vjeçari u prezantua në ambjentet e Federatës Shqiptare të Volejbollit pasditen e sotme, ku firmosi dhe kontratën. Ai do të nisë menjëherë nga puna me përzgjedhjen e ekipit si dhe organizimin e skuadrës gjatë kësaj periudhe.

Lajmi u publikua në faqen zyrtare të FSHV-së:

“Italiani Luca Secchi do të jetë trajneri i ri i ekipit kombëtar të femrave në volejboll. 44-vjeçari ka nënshkruar sot një kontratë me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë trajnerin Altin Martiri, i cili që nga dita e sotme do të ketë pozicionin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare të femrave pranë FSHV-së.

Secchi është prezantuar gjatë një konference për shtyp të organizuar nga FSHV-ja, ku të pranishëm kanë qenë presidenti Erlind Pëllumbi, sekretari Albens Vokopola, gazetarë e të ftuar nga fusha e volejbollit.

Trajneri i ri do të nisë menjëherë nga puna, teksa do të zbresë në parket këtë fundjavë në kryeqytet për një seleksionin me moshat e më pas edhe disa qytete të Shqipërisë, për të nisur disa zbore.”