Lacio është duke bërë një sezon të shkëlqyer deri në këtë pikë të sezonit. Bardhekaltërit janë në vendin e tretë në kampionat, vetëm tre pikë larg dy kryesuesve Inter dhe Juventus.

Ndërkaq, kryeqytetasit fituan edhe Superkupën e Italisë ndaj Juventusit. Meritë në këtë triumf kanë të gjithë duke filluar me trajnerin, e më pas Igli Taren dhe presidentin Klaudio Lotito.

I këtij mendimi është edhe vetë presidenti, i cili në një intervistë për Rtv Ora, është shprehur se meritat duhen ndarë. Ndërkohë, në lidhje me Igli Tare theksoi se në momentin kur i propozoi rolin e drejtorit sportiv i la vetëm gjysmë ore kohe të mendohej. Tare pranoi dhe historia tashmë njihet.

“Igli Tares i kisha premtuar se do i kisha rinovuar kontratën si futbollist. Igli erdhi në zyrën time së bashku me prokurorin e tij. I komunikova se kontratën nuk do ia rinovoj. Igli është një njeri që të bardhën e quan të bardhë dhe të zezën të zezë.

Nuk ka zona të errëta dhe ngjyra gri. Në fillim u zemërua. I thashë se për të kam një ide, ku do i besoja postin e drejtorit sportiv. Ke gjysmë ore kohe për tu konsultuar me prokurorin e tënd dhe më pas pranoi. Unë e kisha kuptuar se ai kishte aftësi mjaft të mira menaxheriale dhe me kohën u përmirësuan.

E kisha kuptuar se Igli kishte karakteristikat e veçanta për ta bërë këtë detyrë. Tare është një njeri që punon, një njeri transparent, një njeri mjaft i mirë me të cilin kam një raport miqësie. Nuk duhet të harrojmë se në futboll fitojnë të gjithë dhe po ashtu edhe humbasin të gjithë. Është pak të themi se merita është e Lotitos. Merita është e Tares, merita është e trajnerit.

Merita është e të gjithëve dhe po ashtu edhe mosmerita është e të gjithëve. Kur Lazio humb faji është edhe i imi edhe pse unë nuk zbres në fushë të luaj.

Faji është edhe i imi që nuk kam krijuar kushtet që skuadra të fitojë. Futbolli është një forcë grupi dhe në të vlen rregulli i grupit. Pra Igli Tare është një person që ka një vlerë të shtuar brenda këtij grupi”, u shpreh Lotito./vipsport/