Sven-Göran Eriksson është rikthyer në shtëpi, i papunë. Sot është gati 70 vjeç, jeton në Suedi dhe nuk ka më 4.5 milionë euro të ardhura vjetore që i garantonte Shenzhen, klubi i divizionit të dytë në kampionatin kinez. Trajneri i titullit kampion historic të Lazio është rrëfyer për “Expressen”, duke zbuluar kënaqësi dhe dhimbje.
Sipas tij, kujtimet më të bukura janë ato që lidhen me kohën e kaluar në Itali.
“Vitet më të mira të jetës time janë natyrisht ato që kam kaluar në Romë, te Lazio e madhe. Do të doja që njerëzit, kur të dëgjojnë të flitet për mua, të mendojnë për futbollin dhe për gjithë gjërat pozitive që kam bërë. Por besoj se ndonjëri kur dëgjon të flitet për mua, mendojnë vetëm për femrat”, u shpreh trajneri suedez me nostalgji, i cili shpesh herë është bërë objekt i tabloidëve për skandalet rozë, sikurse dhe lidhja e tij me avokaten Nancy Dell Olio.
“Nuk e kam tradhëtuar kurrë, sepse në të vërtetë nuk kemi qenë kurrë të martuar. Unë arsyetoj kështu”
Kështu justifikohet Eriksson, i cili aktualisht në lidhje me modelen panameze, Yaniseth Alcides, që sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë e fundit për 70-vjeçarin: “Pse jo disa femra njëkohësisht? Çfarë mund të bëj, dashurohem shumë lehtësisht…”./telesport/