COVID-19 kushtëzoi të gjithë botën ndërsa i mësoi qytetarët me zakone të reja për t’iu përshtatur sa më shumë infeksionit të rrezikshëm.

Në këtë pikë, edhe futbolli nuk mund të mos ndikohej nga pandemia teksa lojtarët ishin gjithashtu “pre” e infektimeve dhe në këtë formë për t’i ardhur në ndihmë skuadrave u vendos që trajnerët të kishin në dispozicion pesë zëvendësime, nga tre që ishte rregullorja para COVID-19.

Një lëvizje e tillë u mbështet nga shumë trajnerë ndërsa tashmë Bordi i Shoqatës së Futbollit Ndërkombëtar ka vendosur që duke nisur nga sezonin 2022-2023 pesë zëvendësimet të jenë të përhershme duke ndryshuar rregullin me tre që ishte më parë.

Në një mbledhje ku ishin pjesëmarrëse Federata të ndryshme dhe përfaqësues të FIFA-s, Bordi i Shoqatës së Futbollit Ndërkombëtar zyrtarizoi rregullin e ri ndërsa për t’u theksuar se pesë zëvendësimet mund të kryhen në vetëm tre ndërprerje të lojës në mënyrë që të mos shpërdorohet kohë e vlefshme nga 90-minutat e parashikuara.