Kampionati kosovar rrezikon të ndërpritet, kjo për shkak se janë vërejtur disa momente kur nuk është respektuar protokolli i vendosur për zhvillimin e ndeshjes.
Nëpërmjet një letre drejtuar klubeve, Federata Kosovare e Futbollit, i ka kërkuar të gjitha klubeve respektimin e protokollit, në të kundërt do të ndërpritet kampionati.
Njoftimi i FFK:
Federata e Futbollit e Kosovës kërkon nga të gjitha klubet që ta respektojnë në mënyrë strikte protokollin dhe masat anti Covid-19, në mënyrë që të mos vjen deri te ndërprerja e aktivitetit.
Organet kompetente tashmë i kanë dhënë vërejtje serioze FFK-së për mosrespektimin e këtij protokolli në disa prej ndeshjeve të zhvilluara deri më tani dhe në rast se një gjë e tillë përsëritet, atëherë do të bëhet pezullimi i aktiviteteve.
Prandaj, FFK u bën thirrje të gjitha klubeve që të jenë vigjilente dhe strikte në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga protokolli i institucioneve shëndetësore në luftën kundër Covid-19, derisa kërkon nga të gjithë personat zyrtarë dhe organet e saj që të mos lejojnë fillimin e asnjë ndeshjeje në rast se do të ketë persona të paautorizuar në stadiumet e futbollit.