Shkruar Endri ÇINARI
Lirim Kastrati po përjeton një vit 2026 tërësisht ndryshe, një fazë që po e rikthen atë në versionin më të mirë të vetes dhe që po entuziazmon tifozërinë shkodrane. Futbollisti kosovar i Vllaznisë së Shkodrës duket i transformuar si fizikisht ashtu edhe mentalisht, duke marrë mbi supe një rol protagonisti në skuadrën kuqeblu. Performancat e tij javë pas jave po tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një lojtar që ka gjetur ritmin, besimin dhe ambicien e munguar më parë.
Konfirmimi më i freskët i kësaj rritjeje erdhi në përballjen ndaj Dinamos, një ndeshje delikate ku Vllaznia triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertë. Edhe pse Kastrati nuk e gjeti rrugën e rrjetës, ndikimi i tij në lojë ishte vendimtar. Me shpërthimet e vazhdueshme në krah, presionin konstant dhe korrektësinë taktike, ai ishte një nga pikat më të forta të skuadrës, duke u shpallur meritorisht “Lojtari i Ndeshjes”.
Ajo që po bie më shumë në sy është pjekuria e lojës së Kastratit. Kosovari nuk është më thjesht një lojtar krahu që mbështetet te shpejtësia, por një element i kompletuar që di të ndërtojë aksione, të ndihmojë repartin difensiv dhe të marrë vendime të zgjuara në momentet kyçe. Trajneri dhe stafi teknik po përfitojnë maksimalisht nga kjo formë, duke e bërë atë një pikë reference në krahun e djathtë.
Në Shkodër, ky është pikërisht niveli që pritej prej tij që në momentin e afrimit te 9 herë kampionët e vendit. Kastrati u transferua me pritshmëri të mëdha dhe tashmë, më në fund, po justifikon investimin dhe besimin e klubit. Tifozët kuqeblu shohin tek ai një futbollist që mund të bëjë diferencën, një lojtar që ndez stadiumin me çdo top të marrë.
Puna e palodhur si në sulm ashtu edhe në mbrojtje e bën Kastratin një armë të çmuar për Vllazninë. Ai mbulon gjithë krahun e djathtë, duke qenë i rrezikshëm në fazën ofensive dhe i disiplinuar në kthim. Jo më kot, në ambientin shkodran po cilësohet si “flash”-i i kuqebluve, një lojtar që sjell energji, ritëm dhe vertikalitet në lojë.
Nëse ky trend vazhdon, Lirim Kastrati pritet të jetë një nga emrat më të spikatur të kampionatit në vitin 2026. Forma aktuale, bashkë me besimin e stafit dhe mbështetjen e tifozëve, e vendosin atë në një pozicion ideal për të qenë lider i Vllaznisë në objektivat e sezonit. Shkodra po shijon versionin më të mirë të kosovarit, ndërsa vetë Kastrati duket i vendosur të mos ndalet më.


