Tani që jemi edhe vetëm pak ditë para fundit të vitit 2021, bëhen edhe statistikat e futbollistëve që kanë pasur performancë pozitive gjatë kësaj periudhe. Kështu “Shkodra Sport” sjell edhe golashënuesin më të mirë të Vllaznisë për këtë vit.

Ai është Ardit Hoxhaj, lojtari me origjinë nga Vlora ka tundur rrjetën për kuqeblutë më shumë se asnjë gjatë viti 2021. Golat e tij vijnë që nga janari e deri në muajin dhjetor.

27-vjeçari është një prej atyre që e ka gjetur sistematikisht rrugën e rrjetës. Ai e ka hapur llogarinë e tij për këtë vit që me 8 janar ku ka shënuar në fitoren 1-0 të Vllaznisë kundër Teutës. Po ashtu të rëndësishme edhe rrjetat e tij kundër Bylis dhe Kastriotit. Gola që i dhanë pikët e plota kuqebluve.

Ish-futbollisti i Flamurtarit do gjente golin edhe në gjysmëfinalen e kupës kundër Laçit. E po ashtu do shënonte 2 herë kundër Apolonisë dhe 1 herë në humbjen 3-1 të Vllaznisë kundër Kukësit. Edhe në sezonin 2021-22, Hoxhaj ka shfaqur një marrëdhënie të mirë me golin.

Pas dëmtimit që e la disa kohë jashtë fushave, ai ka gjetur ritmin e golave. Ku ka shënuar në dy ndeshjet e kupës kundër Pogradecit dhe po ashtu një dopietë kundër Kastriotit në kampionat dhe 1 gol po ashtu kundër Skënderbeut. Një total prej 12 golash në këtë vit për Hoxhajn. Shifra që e bëjnë atë golashënuesin më të mirë të Vllaznisë.
Endri ÇINARI