Igli Tare është kthyer në një nga drejtuesit më të njohur të futbollit në Itali në vitet e fundit për mënyrën se si vepron në merkato dhe se si me një buxhet shumë më të ulët se ato të skuadrave të tjera, ka krijuar një Lacio konkurruese për objektiva të rëndësishëm.
Lëvizjet e tij në merkato shpesh janë etiketuar si “magji” dhe tashmë atij i duhet të bëjë një tjetër për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit.
Shumëkush ka pyetur se pse afrimet më të reja në skuadër si Hysaj, Anderson, Romero apo Kamenoviç nuk janë prezantuar ende zyrtarisht.
Arsyeja është se kontratat e tyre nuk janë depozituar në Ligë, pasi më përpara Lacio duhet të rregullojë bilancet financiare për të mos regjistruar humbje.
Kështu, për këto firma Tares i duhet të sigurojë n ëshifër prej rreth 30 milionë eurosh, që do të përdoret edhe për të afruar emra të tjerë që kërkon Sarri, si Toma Bashiç.
Ndaj tani drejtuesi shqiptar i është vënë punës për të sistemuar në merkato lojtarë që nuk bëjnë pjesë në planet e Sarrit si Xhoni, Fares, Lukaku apo Durmishi, pa harruar këtu njërin mes Muriqit e Kaisedos.
Gjithçka brenda muajit gusht, që të nisë edicioni i ri pa bilancin me të kuqe, siç ka ndodhur vazhdimisht në vitet e fundit falë magjive të tij në merkato.