Teksa e gjithë Superiorja është vënë në kërkim të një sulmuesi, një lajm i mirë vjen nga Sllovenia. Burime të sigurta për newsport.al bëjnë me dije që Rubin Hebaj ka përfunduar bashkëpunimin me skuadrën e Domzhales duke prishur kontratën që ishte nënshkruar edhe për sezonin tjetër.
20-vjeçari i ka dhënë fund aventurës me ekipin slloven dhe tashmë është kthyer në Shqipëri, teksa po shqyrton ofertat në drejtim të tij. Të njëjtat burime bëjnë me dije që ka qenë vetë dëshira e sulmuesit shkodran për t’u larguar nga Domzhale.
Minutat e pakta që mund t’i rezervonte skuadra në fjalë dhe ofertat e mbërritura në drejtim të tij, kanë bërë që palët të mbyllin këtu bashkëpunimin. Kujtojmë që në sezonin e kaluar, Hebaj ishte pjesë e Partizanit duke u afruar në formë huazimi tek të kuqtë nga ekipi i Domzhales.
Në 21 ndeshje që u aktivizua, shtatlarti arriti të shënonte 4 gola. Tashmë pritet me interes të mësohet se cila do të jetë skuadra e ardhshme, teksa duhet theksuar se nuk është çudi që 20-vjeçarin ta rishohim sërish në Superiore, por jo me fanelën e Partizanit./newsport/