Në Zvicër po rriten shumë futbollistë shqiptarë, të cilët janë në dilemë për të zgjedhur Shqipërinë, Kosovën apo edhe Zvicrën. Por, futbollistët nuk janë sportistët e vetëm që po rriten në këtë vend duke qenë se ka edhe gjyqtarë të njohur shqiptarë, të cilët po cilësohen në Europë si më të mirët.

Ky është edhe rasti i Bekim Zogajt i cili shpesh herë ka gjykuar ndeshje të rëndësishme në Europë, si në Champions, po ashtu edhe në Europa League.

Këtë radhë, Zogaj është përzgjedhur për të qenë asistent në takimin miqësor që do të luhet në Lajpicg mes Gjermanisë dhe Rusisë në datën 15 nëntor.

Sandro Skarer është gjyqtar kryesor në këtë sfidë dhe do të ndihmohet nga Bekim Zogaj dhe Zhan Ives Vikt. Zogaj nuk është një emër i padëgjuar edhe për futbollin shqiptar, duke qenë se në vitin 2015, ai ka qenë asistent në takimin mes Kukësit dhe Torpedo Zhodinos, i vlefshëm për Ligën e Europës dhe që u fitua nga verilindorët me rezultatin 2-0. /VipSport/