Rubin Hebaj po kthehet në një çështje te Vllaznia. Nga burime pranë klubit bëhet e ditur se lojtari është në planet e kuqebluve, por nga ana tjetër, vetë Hebaj thekson faktin se deri në këto momente nuk ka gjëra konkrete.
Me sa duket, preferencat e Hebajt janë për jashtë Kategorisë Superiore, drejt klubeve Europiane. Megjithatë, brenda Shqipërisë, Vllaznia mbetet e para.
“Nuk kam gjëra konkrete për atë që po thuhet se javën që vjen mund të jem te Vllaznia. Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit e klubit. Unë do të pres atë që do të vendosë menaxheri im.
Do të kem kontaktet me të në ditët në vazhdim. Nuk mund të them asgjë në këto momente për kontakte me Vllazninë. Nëse do të zgjedh në Superiore, Vllaznia është natyrshëm zgjedhja parë, por duhen disa gjëra që të bëhen bashkë”, u shpreh Hebaj.
STËRVITJA
Momentalisht, Hebaj nuk ka një ekip. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar lojtarin që të ndalë stërvitjen. Ai gjatë kësaj periudhe po zhvillon një stërvitje individuale.
“Këto ditë jam munduar që t’i shfrytëzoj në maksimum për të fituar gjendjen optimale. Nuk kam qëndruar pasiv, por jam stërvitur individualisht. Kjo më bën që të mos jem mbrapa kur të gjej skuadrën e re. Forma ime është optimale”, deklaroi sulmuesi shkodran, Rubin Hebaj.