Rubin Hebaj zgjedh Teutën për të vazh duar karrierën. Sulmuesi 21-vjeçar nga Shkodra ishte i dyzuar për të ardhmen e tij pas largimit nga klubi i Superligës ukrainase, Vorskla Polltava, por nga dje ai është një lojtar i Teutës, kur ka firmosur për 6 muaj me të drejtë rinovimi për një tjetër sezon.

Qendërsulmuesi ishte një kërkesë e trajnerit Edi Martini, i cili e njeh mjaft mirë lojtarin dhe mendon se me ardhjen e tij sulmi i durrsakëve është i kompletuar. Pas firmosjes së kontratës, Hebaj foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar pse zgjodhi të vazhdonte karrierën me skuadrën durrsake.

Rubin, më në fund vendosët t’i bashkoheshit Teutës. Çfarë ju bindi të firmosnit me klubin durrsak?

Të them të drejtën, ka ndikuar edhe profesor Edi Martini në zgjedhjen që kam bërë, pasi më njeh shumë mirë. Gjithashtu, vendosa të luaj në Durrës, edhe për faktin se Teuta është një ekip që u ka dhënë mundësi lojtarëve të rinj për t’u rritur. Teuta është një klub që ka qenë gjithnjë në elitë, duke u treguar ekipeve të tjera që luan futboll të bukur dhe është pretendente për vendet e para.

Përpara se të vinit në Durrës, luanit në Ukrainë. Pse shkoi jo mirë aventura juaj te Vorskla?

Arsyeja e largimit nga Vorskla ishte sepse nuk kisha atë ecuri që prisja, por edhe një dëmtim që më shqetësonte që vitin e kaluar. Kjo bëri që unë të mos luaja. Në momentin që isha i dëmtuar, trajneri dhe stafi u ndërruan. Më pas, nuk kisha atë dëshirën e stafit për të ndenjur aty dhe me konsensus vendosa të largohesha.

Ju kërkoi edhe Vllaznia, por zgjodhët Teutën…?

Unë këtë zgjedhje e vlerësoj si shumë të mirë për të ardhmen time. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi Teuta u jep mundësi të rinjve.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe?

Kam pasur disa oferta, por nuk më pëlqen të përmend emrat e ekipeve si nga Shqipëria, por edhe jashtë. Tashmë shpresoj të shkojë sa më mirë ky sezon si pjesë e Teutës.

Sa gola mendoni se mund të shënoni me fanellën e durrsakëve?

Synimi është i qartë, të shënoj sa më shumë gola, si çdo sulmues. Shpresoj të më ndihmojë edhe pak fati. S’mund të jap një shifër reale, por shpresoj sa më shumë, sepse do të jetë mirë, si për mua ashtu edhe për klubin.

Mendoni se do të përshtateni shpejt në ekipin e ri?

Po, jam i bindur për këtë, pasi shumicën e çunave i njoh mirë. Kam luajtur me Kallakun apo Kalajën, por edhe shumë çuna të tjerë. Prandaj mendoj se do të përshtatem shumë shpejt.