Rudi Vata është i drejtpërdrejtë, kur deklaron se kemi humbur edhe tiparin më të rëndësishëm të viteve të fundit, mbrojtjen solide, atëherë përgjegjësi kryesor është trajneri Edi Reja.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares analizon çfarë nuk shkoi, elementin që i pëlqeu dhe do të donte ta shihte gjithmonë, porse deklaroi edhe se ka futbollistë të palumtur në ambientin kuqezi. “Me Panuçin dhe Rejan, Kombëtarja ka pasuar vetëm regres”, shprehet ndër të tjera Vata.

Vata, si e patë Kombëtaren me paraqitjen që bëri në Poloni?

Shqipërinë e pashë si një skuadër të mirë në një pjesë loje, në një fragment. Sidomos në rreth 25 minuta, në pjesën e parë, pasi Polonia shënoi golin e parë. Pashë një Shqipëri që më pëlqen gjithmonë ta shoh të tillë sepse tregoi që është skuadër që mundet të diktojë lojën. Mirëpo, pastaj ka pasur një ngërç të përgjithshëm dhe unë nuk e di pse këta futbollistë nuk kanë këtë lloj performance në mënyrë të rregullt.

Jemi mburrur me mbrojtjen, por pse ndodhi të shpartallohej në atë mënyrë me 4 gola të pësuar?

Për të dhënë këtë përgjigje, unë bëj pyetjen: Po trajneri ynë a duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shpartallim? Unë mendoj se trajneri është përgjegjësi kryesor. Reja, pas ndeshjes u mundua të na trajtojë sikur ne jemi në mesjetë. Ai del dhe thotë që “nuk kemi vdekur akoma”. Ai thotë kështu, por nuk mund të marrësh katër gola. Nëse kërkon të kesh pretendime, si mund të pësosh katër gola, përndryshe në çfarë bote je, se unë s’e kuptoj dot këtë? Nuk është normale. Ka njerëz që e kuptojnë futbollin.

Po përgjegjësia e lojtarëve, ju marr vetëm një rast: Kumbulla, fiton kohën në duel me Levandovskin, nuk e nxjerr topin dhe pësojmë gol. Çfarë mendimi keni për këtë?

Kumbulla mendoj se ishte lojtari më i dobët i mbrojtjes në këtë ndeshje. Është një talent me pretendime të mëdha, por në këtë ndeshje ishte në një ditë jo. Kishte edhe disa momente të tjera. Ndoshta kjo vajtja e Murinjos te Roma ka bërë që Kumbulla të mos jetë në aspektin fizik dhe psikologjik, në lartësinë e duhur siç ishte vitin e kaluar. Kjo ndodh kur humb vendin e titullarit, pasi humb edhe pak besimin në vetvete.

Sipas meje, Kumbulla nuk i paraqiti vlerat e mbrojtësit të Serisë A në këtë ndeshje. Në disa situata ishte fajtori kryesor në mosmbulimin e kundërshtarit ose eliminimin e këtyre situatave. Gjërat duhet t’i themi siç janë, pasi është e vetmja mënyrë që edhe Kumbulla të marrë përgjegjësitë. E them këtë sepse pritshmëritë janë të mëdha.