Rudi Vata e ka cilësuar të papranueshme dhunën në futbollin shqiptar, por eshtë i mendimit që gjëra të tilla do të vazhdojnë të ndodhin për sa kohë që ata që kontrollojnë futbollin në vendin tonë, nuk ndryshojnë.

Në “Procesi Sportiv”, ai theksoi se ngjarja e Ballshit ishte shenjë e një amatorizimi të krijuar në vite, nga ideja që për çdo ngjarje mund të falesh.

“Ajo që unë vërej, kam 30 vitë që jam larguar, sigurisht që marr pjesë në komente e analiza dhe ajo që unë konstatoj gjithmonë është që analizohen këto situata vit pas viti. Nëse merremi me personat, dallohen aktorët që krijuan dhunën në fushë. Dihet që futbolli shqiptar është futbolli i presidentëve të fortë.

Sigurisht ka presidentë që njohin shumë mirë forcën e njëri-tjetrit në lidhjen që kanë me FSHF-në. Jam i sigurt se këto ndodhin se sistemi është i gabuar, ka një apo dy dekada që sistemi manipulohet, futbolli shitet, blihet. Këto fenomene i eliminon vetëm pushteti, FSHF.

Ajo ka krijuar pakënaqësi te antarët, të cilët reagojnë, shohin atë që ndodh, privilegjet e padrejtësitë ndaj klubeve. Ndaj nëse do të flasim se kush është fajtori, familjen e kontrollon i zoti i shtëpisë, nëse ai nuk është i aftë t’i kontrollojë, situata do të vazhdojë, futbolli shqiptar do të ketë të njëjtat dhimbje, këto shfaqje do të vazhdojnë, në aspektin professional nuk fiton asgjë.

Nëse FSHF nuk i shkon ndër mend të marrë ato akte të drejta e sakta për të ndryshyar gjendjen, do të flasim gjatë për këto. Jemi popull që nuk na pëlqen disiplina, të jemi korrekt e të drejtë, mundohemi ta arrijmë te nepotizmi, gjejmë mënyrën për të mbërritur te shefi për të na bërë favore rrugës, ndaj ka këto probleme futbolli.

Nuk është pyetje për presidentin e Federatës, ai është një person. Ka shumë persona të tjerë që u mungon integriteti në radhë të pare, vlera e pastër profesionale. Nëse në fillim shumë skuadra e dine kush do të fitojë, unë i kam mësuar këto gjëra se i kam pasur eksperiencat e mia në Shqipëri. Pse këto fenomene institucionesh shfaqen edhe në futboll?

Se çdo gjë është e lidhur njëra me tjetrën, çdokush funksionon në të njëjtat mënyra, është një fenomen që është aty e ka për të qenë aty. Përderisa janë të njëjtit njerëz, nuk mendojnë se janë konsumuar, funksionojnë nëpërmjet nepotizmave. Jam i zhgënjyer e i trishtuar.

Ky që ka bërë gjestin, vjen nga jashtë, paguhet disa here më shumë, është ndër më të mriët, por këtu funksionon në mënyrë amatore, se një profesionist nuk arrin kurrë në këto nivele, që të dëmtojë skuadrën e grupin.

Është papërgjegjshmëri që e kam parë, ia ka transmetuar dikush që është amatorizëm. Këta thonë hajde t’i biem se çfarëdo të bësh, falësh. Komisioni thotë do e dënojmë 10 ndeshje, pas dy javësh i falim 4, pastaj dy e bëhet katër. Kjo nuk është mësim.

Këtu nuk flasim për jetë private. Futbolli profesionist nuk mund ta lejojë të veprosh në këtë mënyrë, sepse imazhi yt është që nuk mund të marrësh më pjesë në lojë profesioniste. Se unë nuk duroj të kem një futboliist me karakteristika e karakter të tillë.

Ata paguhen për të duruar nervat, për të qenë të qetë, për të dhënë një shembull te rinia, që futbolli bashkon njerëzit, jo përçan. Ndeshja duhet të përfundonte në atë momemt, ky është vendimi që futbollit i vë kapakun, por ndeshja u vazhdua prapë, e ky është vendimi i Federatës së Futbollit”, tha Vata rreth ngjarjeve të Ballshit. /vipsport/