Alsid Tafili është një nga lojtarët kryesor të Besës së në Kategorinë e Parë. Mesfushori shkodran zgjodhi të luante për skuadrën kavajase pasi ka si objektiv Kategorinë Superiore. Në një prononcim për “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, Tafili komentoi sezonin aktual dhe diferencën me 4 pikë që Besa ka me Egnatian kryesuese në Grupin B të Kategorië Superiore.

“Kisha disa oferta, nga skuadra të ndryshme, por pas një bisede me presidentin Bizhdili, zgjodha Besën. Besoj se me kushtet që kemi, do i shkojmë deri në fund këtij edicioni duke pretenduar ngjitjen në Superligë”.

Diferenca 4 pikë me Egnatian? “Egnatia është një rival, me të cilin jemi përballur si në miqësore ashtu dhe në kampionat. Nuk mendoj se ka diferenca, kemi dhe tri ndeshje direkte kundër tyre. Deri tani i kam parë të gjitha skuadrat, vetëm Egnatia duket një rival i fortë për të pretenduar për tu ngjitur. Besa dhe Egnatia do të luftojnë deri në fund”.

“Ndeshjet duhen marre me seriozitet maksimal, sepse kur humbasim pikë, ato do na penalizojnë në fund të kampionatit, prandaj kërkojmë nga lojtarët më shumë përgjegjësi. Mendoj se edhe fati nuk ka qënë me ne. Edhe në ndeshjen me Lushnjën kemi humbur shumë mundësi. Kur humbet pikë të tilla, rritet edhe presioni”.

Stadiumi? “Në fillim ishte vendosur që punimet të nisnin në janar, por u shty. Gjithsesi, me bisedat që kemi patur, besoj se do të fillojnë shumë shpejt. Deri tani jemi penalizuar nga fusha, sepse fusha e Luzit ka përmasa më të vogla dhe nuk na lejon të bëjmë lojën tonë”.

Sfida ndaj Pogradecit? “Jemi përgatitur për këtë sfidë, për atë terren që na pret në Pogradec. Do të shkojmë atje për të marrë tri pikët”, ka përfunduar Tafili./newsport/