Rudi Vata ka folur para ndeshjes së Kombëtares kundër Islandës. Ish-kapiteni i ekipit kuqezi ka analizuar shkurtishimit skuadrën përfaqësuese për mundësitë që kemi tashmë për t’u kualifikuar në europian.

Në një intervistë për Report TV ai u shpreh i bindur se Shqipëria s’ka asnjë lloj shansi për të shkuar në Euro 2020. Foli për Hysajn, shiritin e kapitenit, performancën ndaj Francës dhe në fund u ndal te debati verbal me Mavrajn, ku ky i fundit deklaroi se nuk e njeh aspak Rudi Vatën.

“Po ta shikojmë në aspektin personal duke bërë llogaritë siç duhen bërë, ne s’kemi shpresa për Europianin. Kemi humbur 3 ndeshje me kundërshtarët direkte. Nesër është ndeshje e rëndësishme për të ardhmen e futbollit shqiptar, por jo për kualifikimin pasi për mua është mbyllur si kapitull. Që nesër mendoj se Edi Reja ka kuptuar vërtetë se cilët do të jenë futbollistët e vërtetë që do t’i shërbejnë në të ardhmen KOmbëtares.

Për sa i përket performancës me Francën, nuk besoj se ka njeri që është kënaqur apo i ka lënë shije te mirë në të gjitha aspektet. Kishim futbollistë të niveleve të larta përballë, por edhe ne kemi lojtarë profesionistë që luajnë në Seria A, Austri etj. Ndoshta s’mund të luajmë një futboll si Franca, por të na premtojnë për të ardhmen.

Hysaj? Është e rëndë për një futbollist që në performancat negative, tifozët humbin besimin. Hysaj e kupton mirë se ç’do të thotë të jetë një futbollist profesionist. Sulmet me konatacion negativ, nuk janë të shëndetshme. Fundja e fundit ata janë djemtë tanë. Për një arsye ose tjetër, jo gjithëkush mund të jetë një Messi shqiptar. Unë jam me Elsin që sulmet dhe agresiviteti që përdorin tifozët në komentet e tyre nuk është në stilin dhe burrërinë shqiptare. Këta djem e njohin mirë përgjegjësinë. Një Kombëtare e fortë bëhet e fortë kur bashkohen bashkë të gjithë komponentët.

Shiriti i kapitenit? Ndryshimi i shiritit ka ndryshuar disa herë që pas largimit të Canës. Ne nuk kemi pasur një kapiten konstant. Edhe Elseidi e ka mbajtur shiritin kur nuk ka qenë Mavraj. Këto janë dënime që i merr trajneri, i cili duhet të kuptojë qartë se kush është lideri i kapitenit. Gjithashtu duhet të njohë 3 lojtarët që kanë influencë në pjesën tjetër të skuadrës. Kapiteni duhet të jetë lider dhe të organizojë skuadrën në situata të vështira.

Debati me Mavrajn? Unë në një studio televizive ku jam i kontraktuar si ish-kapiteni i Kombëtares kam shprehur mendimin tim për takimin me Mavrajn. Përgjegjësia kryesore pas trajnerit, bie mbi kapitenin. Nëse ai thotë në konferencë që në dy ndeshje do të marrim gjashtë pikë dhe pas takimit thotë që nuk u bë qameti. Por, gjithashtu edhe performanca e tij nuk ishte në nivelin e duhur.

Jam i mendimit që një futbollist që ka arritur moshën 33-34 vjeç, e shikoj që prezenca e tij në Kombëtare nuk i shërben të ardhmes. Kjo skuadër ka probleme duke përmendur Roshin që e vendosin si mbrojtës të majtë. Pra, duke para këto probleme, lojtarë si Mavraj s’i shërbejnë Kombëtares. Unë kam menduar që ky djalë do të bëjë analizën siç duhet, ashtu siç e bëri edhe Lorik Cana.

Lorik Cana mund të vazhdonte të luante me Kombëtaren, por e kuptoi që vitet e tij me Kombëtaren kishin mbaruar. Profesionalisht e bëri edhe Basha. Ai ka të drejtë të vazhdojë ose jo, ndërsa unë kam të drejtën të analizoj. Ndoshta ka kaluar personale ky debat, por gjithësecili mundohet të ruajë dinjitetin e vet. Sigurisht nuk e pres një profesionist që është edukuar në një vend si Gjermania të flasë në mënyrë joprofesionale, për mua është e papranueshme.

Kritikat duhet t’i kthejë në motiv. Gjithë njerëzit e suksseshëm janë bërë të tillë falë kritikave. Unë jam shumë dakord nëse performanca e tij do të jetë më e mirë, unë do t’i jap atë që meriton. Në futboll nuk ka: “Unë kam qenë”. Ti je i mirë sa ndeshja jote e fundit. Mavrajn s’e njoh fare personalisht. Vetëm me 3-4 lojtarë të ekipit kombëtar kam marrëdhënie.

Gabimi në himnin kombëtar? Unë u ndjeva i diskriminuar në atë moment. Ishte një shenjë mosrespekti ndaj kombit tonë. Francezët mu dukën jo të sinqertë. Dyshoj shumë që në kohët moderne të ngatërrohet himni. Gjithmonë ka një test para se skuadrat të rreshtohen në fushë. Pra, duhej të ishte organizuar një test para se të kryhej himni kombëtar i ekipit tonë.

Ky ishte një lloj diskriminimi sa i përket aspektit personal. Reagimi i lojtarëve tanë ishte i vonuar. Unë s’kam pasur eksperiencë të tillë dhe nuk e di si mund të reagojmë. Ne e njohim himnim ashtu siç njohim muzikën. E rëndësishme është që në fund himni u ekzekutua.

Po të shikosh rezultatet që ka pasur De Biasi, ishin falë grupit. Në kohën e tij ishim shumë të organizuar në mbrojtje”, ka përfunduar ai.