Vllaznia zhvilloi këtë fundjavë një ndeshje të bukur në “Klasiken” e futbollit shqiptar ndaj Tiranës. Ndoshta, kjo “Klasike” ishte një nga ndeshjet më të bukura që kemi parë këtë sezon, por edhe vitet e fundit. Realisht, kjo “Klasike” ishte një vitrinë e mirë për futbollin shqiptar dhe futbollistët që luajtën në këtë ndeshje.

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, në emisionin “Sport Show” të TV1-Channel, ka dhënë vlerësimet e tij maksimale për atë çfarë skuadra shkodrane paraqiti në fushën e lojës. Kështu, sipas tij, Vllaznia ishte më lart në këtë sfidë, teksa krijoi shumë raste shënimi, por Vata mendon se i mungon lojtari gol.

Ndërkohë, ai u ndal edhe tek tifozëria, duke shprehur shqetësimin e tij për numrin e pakët në tribunat e stadiumit “Selman Stërmasi”, në “Klasiken” që luajtën dy skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar. Poashtu, Vata u shpreh se pavarësisht se jeton në Skoci, Vllazninë e ndjek gjithmonë, ndërsa theksoi se ekipi shkodran ka probleme të mëdha në finalizim.

“Ndeshjen e fundit të Vllaznisë isha në stadium për ta ndjekur dhe kisha shumë interes ta shikoja atë ndeshje. Vllazninë e ndjek gjithmonë nëpërmjet lajmeve dhe internetit. Tiranën kisha kohë pa e parë.

Fillimisht, kur po shihja ndeshjen, më trishtoi fakti se si dy skuadrat më të mëdha në Shqipëri kanë kaq pak tifozë në stadium. Pyetja ime është pse tifozëria i është larguar futbollit? Kjo është një minus shumë i madh për të dy skuadrat dhe për futbollin në vendin tonë.

Sa i takon ndeshjes, Vllaznia m’u duk më mirë se Tirana. Unë mendoj se si skuadër Tiranës i mungonte karakteri. Unë pashë një Tiranë të thjeshtë në fushën e lojës.

Nga ana tjetër, Vllaznia me një futbollist si Latifi, kur ai të rikthehet në formë të mirë, do jetë si skuadër në tërësi shumë më e organizuar. Vllaznia krijoi raste dhe realisht duhet të kesh shumë përgatitje t’i krijosh karshi Tiranës, e cila ka qenë dominante në futbollin shqiptar.

Problemi më i madh mbetet finalizimi dhe kjo është një nga pikat më të rëndësishme që klubi duhet të punojë. Nëse Vllaznia pretendon të fitojë kampionatin shqiptar, sigurisht që i duhet një lojtar goli”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI