Qendërmbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, është një nga pikat më të forta të skuadrës bregdetare, ku së bashku me Arapin kanë krijuar një dyshe të frikshme dhe në 15 javë mbrojtja e bluve ka pësuar 6 gola.

Hoxha foli për “Panorama Sport” para sfidës së radhës së “djemve të detit” kundër Partizanit. Mbrojtësi durrsak shprehet se skuadra do të futet në fushë me mentalitetin për ta fituar me doemos takimin pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.

Si e keni parë sezonin e Teutës deri më tani, keni ndonjë peng për mënyrën si kanë shkuar gjërat?

Mendoj që deri më tani kemi zhvilluar një sezon pozitiv, por ende nuk jemi aty ku donim ne të ishim. Peng do të thosha janë ndeshjet e zhvilluara në Durrës, pasi kemi bërë shumë barazime radhazi. Disa prej tyre duhet t’i kishim fituar pasi kemi dominuar dhe kemi krijuar raste, por çfarë ka kaluar nuk e kthejmë dot prapa dhe duhet të shohim para.


Sa pikë më tepër mendoni se mund të kishit pas gjithë atyre barazimeve dhe cila është ndeshja që ju ka mbetur në mendje për mënyrën si kanë shkuar gjërat?

Me atë që kemi dhënë në fushën e lojës mendoj që duhet të kishim më shumë pikë, por për shumë faktorë këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje peng, por ato ndeshje që nuk i fiton të mbeten pishman.

Keni pësuar vetëm 6 gola, duke qenë mbrojtja më e mirë e kampionatit deri tani. Ju kënaq kjo ecuri apo sërish ju vjen keq për ndonjë rast që mund ta kishit evituar?

Është e vërtetë që kemi mbrojtje të mirë dhe kemi bërë mirë në fazën defensive, por duhet të vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm. Unë kam besim se po zhvilluam një lojë mbrojtëse shumë të mirë dhe golat do vijnë, pasi kemi lojtarë cilësorë në sulm dhe besoj se do bëhen bashkë mbrojtja e mirë me sulmin e mirë. Kështu arrijmë objektivat që ka klubi.

Luani me Partizanin të hënën, çfarë ndeshjeje prisni?

Partizani është një skuadër e fortë që do një vlerësim maksimal nga ana jonë. Mendoj që do i bëjmë gjërat siç duhet dhe do e përgatisim siç duhet në stërvitje këtë duel me qëllim që të shfaqim anën tonë më të mirë. Duhet të bllokojmë pikat e forta të Partizanit, që në fund të fitojmë ndeshjen. Respekt maksimal për Partizanin, por ne do hyjmë në fushë për fitore pasi kemi objektivat tonë.

Cili mendoni se do të jetë rivali juaj më i fortë deri në fund?

Ky është një kampionat që nuk mund të parashikosh asgjë. Për shembull, Vllaznia, në fillim nuk ishte parashikuar që do luftonte për titull, por gjërat i kanë marrë për mirë. Shkodranët po ecin mirë dhe po kryesojnë kampionatin. Mendoj që janë shumë ekipe të mira, Tirana, Partizani, Laçi dhe Kukësi së bashku me Vllazninë.

Do të jetë një luftë e fortë si për titullin ashtu dhe për Europën. Shoh një vështirësi të madhe në luftën për titull, pasi ekipet janë afër pavarësisht Vllaznisë që ka krijuar distancë, mendoj që pa mbaruar faza e dytë ne do ta ngushtojmë diferencën e pikëve dhe ekipet do afrohen shumë me njëra-tjetrën.


Kush nga sulmuesit në Kategorinë Superiore ju ka hapur gjithnjë punë?

Të gjithë sulmuesit kanë atë vështirësinë e vet, por që duan në çdo moment të jesh i gatshëm dhe i vëmendshëm. Nuk do veçoja asnjërin, mendoj që të gjithë sulmuesit kanë atë mirën e vet që kështu nuk do veçoja asnjërin.