E ardhmja e De Ligt nuk është vendosur ende, edhe pse Manchester United thuhet se është një nga favoritët, në bazë të kushteve financiare që ka ofruar, për ta marrë talentin holandez. Megjithatë, Ruud Gullit, ish-ylli i ekipit kombëtar holandez, nuk beson se destinacioni i ardhshëm i 19-vjeçarit do të jenë “Djajtë e Kuq”.
Ish-lojtari i disa klubeve, si PSV, Milan dhe Chelsea, ndër të tjerë, ka shkruar një opinion për gazetën “The Telegraf”, ku ka ndarë vizionin e tij në lidhje me rastin “De Ligt”. Gullit beson se qendërmbrojtësi më i lakmuar në Europë nuk do të përfundojë në “Old Trafford”:
“Në ditët e fundit ka pasur shumë biseda me Manchester Unitedin, por unë nuk mendoj se kjo pistë ka gjasa të materializohet. Kjo, për shkak se Manchester United nuk do të luajë në Champions, sezonin e ardhshëm”.
De Light është edhe në radarët e klubeve të tjera të mëdha në kontinent, si PSG, Bayern Munich e Barça. Kjo e fundit e tërheq më së shumti 19-vjeçarin, i cili ka thënë se nuk do të ndahet me De Jong, bashkëlojtarin e deritanishëm tek Ajax, që prej kësaj vere do të transferohet në “Camp Nou”.
Me siguri, ai do të zgjedhë dikë, që merr pjesë në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Pikërisht ky component, sipas Ruud Gullit, e bën të pamundur kalimin e De Light te Manchester United, pavarësisht shumave të mëdha të parave./telesport/