Bazeli do të udhëtojë drejt Shqipërisë për ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës ndaj Partizanit më i qetë jo vetëm për rezultatin 3-0 të sfidës së parë ndaj të kuqve.

Skuadra zvicerane i ka bërë start të mirë kampionatit duke fituar “klasiken” e Zvicrës përballë Grasshopers, në një duel shqiptarësh që kanë qenë protagonistë në të dy ekipet.

Bazeli e nisi takimin me Xhakën e Kasamin në fushë, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizua edhe Zhegrova. Kurse te Grasshopers, vendasit e filluan takimin me Lenjanin e Abrashin titullar, me mesfushorin i cili mbante dhe shiritin e kapitenit në këtë skuadër, ndërsa Demhasaj u akzitivizua në pjesën e dytë të ndeshjes.

Xhaka e Abrashi ranë në sy në pjesën e parë për duelet e tyre dhe të dy u ndëshkuan shpejt me kartonë të verdhë. Ndërsa Lenjani iu afrua golit në pjesën e dytë me një gjyajtje nga e majta, por pa gjetur kuadratin.

Megjithatë, një autogol dhe goli i Espozito, pas asistit të Zhegrovës, i dhanë fitoren Bazelit që kështu i bëri një start të mbarë kampionatit ku synon të jetë përsëri protagonist kryesor në luftën për titull.