Para pak ditësh, Vllaznia ka prezantuar sponsorin e ri kryesor për sezonin e ardhshëm. Klubi shkodran ka arritur një marrëveshje me “Hospital One” për të qenë sponsori i Vllaznisë për sezonin 2022-2023.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Gjon Pepaj, administratori i “Hospital One”, sponsorit kryesor të Vllaznisë, ka folur për atë që e shtyu për këtë ide, në bashkëpunim me APT Group Holding, financuesi kryesor me seli në Londër.

Gjatë bisedës me “Shkodra Sport”, Pepaj u shpreh se Vllaznia është ekipi i tij i zemrës dhe për të ndihmuar këtë skuadër, lindi edhe ideja e sponsorizimit. Në momentin e prezantimit, “Hospital One” nderoi edhe rreth 40-veteranë të ekipit të Vllaznisë në vite, teksa ata do të jenë përfitues të paketës shëndetësore falas të ofruar nga ky spital.

Një gjest ky sa i veçantë, aq edhe i bukur për të nderuar këto figura të futbollit shkodran. Ndërkohë, duke qenë se sot luhet ndeshja e parë e turit të dytë të Conference League, Vllaznia- Kraiova, Pepaj u “ngacmua” në lidhje edhe me një parashikim të mundshëm të kësaj sfide, teksa u shpreh se pret një fitore nga ekipi shkodran.

Për më tepër, lexoni intervistën e tij me gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.


Z. Pepaj, fillimisht suksese në rolin e sponsorit kryesor të Vllaznisë..

Faleminderit Maringlen.

Atëherë, sponsorizimi juaj tek Vllaznia, si lindi një ide e tillë dhe një projekt i tillë?

Atëherë, arsyeja e sponsorizimit tim të KF Vllaznia është se, duke qenë se Vllaznia është ekipi im i zemrës dhe dëshira ishte ta shikoj ekipin në performancë më të mirë, lindi edhe ideja e sponsorizimit. Jemi munduar të bëjmë diçka dhe të japim sadopak atë kontributin tonë për Vllazninë, ekipin e zemrës. Dëshira e kompanisë dhe e imja është të mos ndalemi vetëm në këtë projekt. Megjithatë, prisni edhe supriza të tjera në kohët në vazhdim nga ne.


Gjatë ceremonisë së prezantimit tuaj, ju nderuat edhe disa ish-futbollistë dhe veteranë të KF Vllaznia ndër vite, një gjë e veçantë nga ana juaj, por pse u bë një gjë e tillë dhe cila është domëthënia e saj?

Atëherë, përsa i takon pjesës së veteranëve, si sportdashës me traditë familjare, kishim vendosur të nderonim disi në atë mënyrën tonë veteranët e këtij ekipi. Pothuajse, shumë prej tyre janë lënë në harresë dhe ishte dëshira jonë që sado pak, t’i japim një vlerësim simbolik për kontributin e tyre ndër vite. Janë diku tek rreth 40-veteranë, që u vlerësuan nga ne. Gjithashtu, edhe ato që e kishin të pamundur të paraqiten në ceremoni, nuk u lanë në harresë nga ana jonë dhe janë përfitues të paketës shëndetësore falas të ofruar nga “Hospital One”.

Z. Pepaj, mbrëmjen e sotme luhet edhe ndeshja e parë e turit të dytë të Conference League, Vllaznia-Kraiova, si e parashikoni këtë sfidë?

Absolutisht, me fitore (qesh)… Shpresoj shumë në një rezultat pozitiv të ekipit në Shkodër në ndeshjen e parë, në mënyrë që më pas të hedhim një hap më të sigurt drejt kualifikimit për në turin e tretë të Conference League. Dua të përfitoj nga rasti, që të ftoj edhe tifozët e Vllaznisë dhe gjithë popullin e Shkodrës, të jenë sa më të shumtë në numër në mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi”.


Për të kaluar pak edhe te aktiviteti juaj në Shkodër me “Hospital One”, cila do të jenë risitë ose shërbimet që do të ofroni ju si ndërmarrje e re në qytetin tonë?

Atëherë, spitali si strukturë është formuluar në standartet më të larta që Shqipëria dhe rajoni ka parë ndonjëherë. Në fakt, është një strukturë multi-disiplinare medicinale me aparaturat e fjalës së fundit, si në diagnostikim dhe në ndërhyrje kirurgjikale. Protokollet që do zbatohen, janë sipas standarteve të Komunitet Europian. Fjalët janë të tepërta, por koha do ta tregojë punën tonë.


E fundit z. Pepaj, e ardhmja juaj në bashkëpunim me APT Group Holding, cila do jetë pas projektit një-vjeçar të sponsorizimit te Vllaznia? Do vijoni sërish të sponsorizoni aty apo do ketë projekte të tjera në vazhdimësi në të mirë të komunitetit të qytetit të Shkodrës?

Sa i përket pjesës së sponsorizimit te Vllaznia pas një viti, kjo mbetet për t’u parë rrugës. Të shohim. Megjithatë, siç e thashë edhe më sipër, kompania jonë nuk do të ndalet vetëm tek KF Vllaznia, por shumë surpriza të tjera në vazhdim, do t’i shihni në të mirën e qytetarëve të Shkodrës.


Faleminderit Gjon dhe të uroj shumë suksese, si tek sponsorizimi me Vllazninë, ashtu edhe në ndërmarrjet e tjera të bizneseve tuaja

Faleminderit ty Maringlen për intervistën dhe mundësinë e dhënë për t’i shpalosur publikut shkodran projektin dhe idetë tona!
Maringlen ZHIVANI