Coventry City dhe Luton Town takohen në Wembley në finalen e play-off të Championship për t’u ngjitur në Premier League.
Dy skuadrat konkurrojnë për një vend në kategorinë kryesore të futbollit anglez, por mbi të gjitha për të ardhmen, duke e ditur se ngjitja në Premier League mund të vlejë shumë para.

“Ndeshja në Wembley ofron shpërblimin më të madh financiar në futbollin botëror dhe do të jetë një publicitet i madh për kampionatin pas një sezoni tjetër elektrizues”, tha Zal Udwadia, ndihmësdrejtori i Grupit Sportiv të Deloitte, raportuar nga The Athletic.

“Paratë e çmimit do të luajnë një rol vendimtar në ndihmën për rekrutimin e talenteve, si dhe investimin në infrastrukturë dhe përvojën e tifozëve për t’i dhënë ekipit të promovuar shansin më të mirë për të qëndruar në mesin e ekipeve më të mira në Angl”, shtoi Zal Udwadia.

Por sa fiton skuadra që fiton play-off-in e promovimit? Arritja në Premier League përmes finales së play-off-it në 2022-23 do t’i dhurojë klubit fitues të paktën 170 milion £ (mbi 195 milion €) gjatë tre sezoneve të ardhshme, sipas Deloitte Sports Business Group.

Kjo shifër mund të rritet në mbi 290 milion £ (mbi 330 milion €) nëse klubi arrin të sigurojë mbijetesën në sezonin e tyre të parë në Premier League.

Deloitte vlerëson gjithashtu se çdo sezon në Premier do të sjellë të ardhura shtesë prej të paktën 90 milionë sterlina (104 milionë euro). Një shifër totale e pabesueshme.

Megjithatë, në rast të rënies nga kategoria në vitin e parë pas promovimit, klubi do të vazhdojë të marrë një shumë prej rreth 80 milionë £. Me pak fjalë, Coventry dhe Luton po luajnë për të ardhmen në Wembley./telesport/