Shumë raste të humbura dhe në fund vetëm 1-0 për Vllazninë në ndeshjen e kupës ndaj Burrelit. Pas ndeshjes së djeshme, për mediat ka folur zëvendëstrajneri i saj Safet Osja i cili nuk është zgjatur shumë në deklaratën e tij por është mjaftuar duke u shprehur:
“Ndaj Burrelit ne luajtëm pothuajse me 11-shen e dytë, i aktivizuam të gjithë lojtarët që kishim në dispozicion, luajtëm futboll, besoj se e merituam fitoren dhe ia arritëm qëllimit që kishim”.
Ndërkohë i pyetur nëse rezultati duhej të kishte qenë më i thellë, krahu i djathtë i trajnerit Mirsad Jonuz, do të shprehej:
“Fitorja mund të kishte qenë edhe më e thellë por futbolli i pranon edhe rastet e humbura dhe e rëndësishme është që Vllaznia luajti futboll”.
Megjithatë tashmë ekipi shkodran e ka lënë pas këtë takim dhe ka filluar të mendojë për sfidën e së dielës për kampionat ndaj Luftëtarit që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës së Vllaznisë.
© shkodrasport.com