Në fitoren me rezultatin minimal 0-1 ndaj Kukësit, kishte disa futbollistë të Vllaznisë, të cilët kanë rënë në sy për performancën e tyre të mirë dhe si rrjedhojë, janë përfshirë edhe në formacionin e javës të “OverSport” nga Andi Lila.

Kështu, bëhet fjalë për autorin e golit të shkodranëve në Kukës, Esin Hakaj dhe 19-vjeçarin Rejan Alivoda. Ata janë pjesë e 11-shes më të mirë të javës së 11-të, falë paraqitjes së mirë në këtë 90-minutësh, i cili përfundoi me rezultatin minimal 0-1 në favor të kuqebluve.

Sa i takon formacionit të javës, në portë, Andi Lila ka vendosur portierin e Teutës, Qirko. Në katërshen e mbrojtjes, ai ka vendosur kapitenin shkodran të Bylisit, Trumçi, por edhe Behiratche, Turkaj dhe Hakajn.

Në mesfushën me tre futbollistë, përveç Alivodës së Vllaznisë, ka vend edhe për Aleksin dhe Ujkën. Ndërkohë, në sulm, në 11-shen më të mirë të javës janë përzgjedhur Patrick i Tiranës, Nonato i Erzenit dhe Greca i Kastriotit.

Përfshirja në formacionin më të mirë të javës kuptohet që është një bonus moral për çdo futbollist dhe sidomos për Alivodën, i cili edhe pse po debuton në këtë kampionat, po bën paraqitje shumë të mira.
Maringlen ZHIVANI