Kategoria e Dytë zhvillon sot në orën 14:00 javën e gjashtë të saj. Ditën e sotme, në grupin A do të zbresin disa skuadra në fushën e blertë, ku në këtë grup janë edhe tre ekipe të qarkut të Shkodrës, por vetëm Ada dhe Murlani luajnë sot, ndërsa Veleçiku ditën e nesërme.

Kështu, Ada do të masë forcat në Velipojë me skuadrën e Shënkollit. Ekipi velipojak, që drejtohet nga trajneri shkodran Altin Xhahysa, nuk ka marrë asnjë pikë deri më tani dhe në ndeshjen e sotme ndaj Shënkollit, synimi i vetëm është fitorja, edhe pse dihet që i pret një ndeshje mjaft e vështirë.

Nga ana tjetër, Murlani do të udhëtojë drejt Librazhdit për t’u përballur me ekipin e Sopotit, ku padyshim që edhe një pikë do të konsiderohej pozitive, duke marrë në konsideratë synimet që ka skuadra librazhdase. Ekipi i Murlanit, që drejtohet nga trajneri shkodran Vahedin Pepaj, deri më tani, ka arritur të marrë vetëm një trepikësh javën e kaluar, ku i shkaktoi humbjen Adës.

Të dy këto ndeshje të Grupit A në Kategorinë e Dytë do të luhen në orën 14:00 dhe padyshim që, opinioni sportiv shkodran pret me interes për të parë përballjet dhe rezultatet që do të prodhojnë në këtë javë të gjashtë pikërisht dy ekipet e qarkut të Shkodrës të cilat luajnë sot, Ada dhe Murlani.
Maringlen ZHIVANI