Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli për merkaton e janarit.

Xhaferi pranoi se ka negociata me dy sulmuesit, Çinari dhe Balaj, ndërsa zbuloi se Vulaj mund të huazohet në një skuadër tjetër, për të pasur më shumë minuta.

Në lidhje me zërat për largimin e Kainas, në drejtim të Tiranës, Xhaferi tha se sulmuesi brazilian nuk do të largohet nga Vllaznia deri në fund të sezonit.

Balaj dhe Çinari pa kontratë? Pjesë e kontakteve janë edhe këta dy lojtarë. Dëmtimi i Latifit, është i dëmshëm për ekipin. Merkato është çështje negociatash. Pjesë e negociatave janë edhe dy lopjtarët e sipërpërmendur. Unë jam i angazhuar më shumë për lojtarët vendas, por duhet vlerësuar ana teknike.

Çështja Vulaj? Unë dua të sqaroj diçka. Me Vulajn kemi negociuar para dy vitesh. Unë jam personi kryesor që kam negociuar dhe kam qenë pozitiv për ardhjen e Vulajt te Vllaznia. Nuk ka një marrëdhënie të krisur mes lojtarit dhe trajnerit.

Unë besoj akoma te Vulaj dhe të aftësitë e tij, nuk jam i lumtur për situatën. Shpresoj të ketë më shumë hapësira në fazën e ardhshme. Mundësia e huazimit është e hapur dhe ne e kemi parë këtë. Për situatën aktuale nuk jam i kënaqur, sinqerisht për këtë.

Aralica është një lojtar i joni. Jemi në fazën e merkatos, nuk ka vetëm afrime, por edhe largime. Kaina është lojtar i Vllaznisë deri në fund të sezonit. Nuk kemi asnjë plan për ta larguar në këtë merkato.