Luiza Gega ka zgjedhur që karantinën e saj ta konvertojë në punë, në një vend që nuk është prekur ende nga koronavirusi. Duke parë se në shtetet afrikanë perhapja ka qenë minimale dhe deri tani e kontrolluar, Gega vendosi që këto ditë të mos mbyllej në shtëpi në Tiranë, por të ndiqte planin e saj të stërvitjes për fazën përgatitore në Kenia.

Atje ajo po përgatit pjesëmarrjën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 ndaj ka zgjedhur këtë mënyrë për të përballuar krizën që ka pushtuar botën. Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë, pasi siç ka treguar vetë Gega, rrezikonte të mbetej në aeroporte për shumë kohë, në një periudhë kur fluturimet në vende të ndryshme në hyrje dhe dalje po mbylleshin.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, ajo ka treguar se si tashmë ka filluar “karantinën” e saj të zakonshme, një sakrificë që duhej ta bënin edhe të tjerët për të marrë në fund rezultate.

POSTIMI

“E kush do ta mendonte që bota në një kohë kaq të shkurtër do të përballej me një situatë të tillë duke ju “ngrirë” objektivat që shumë persona lodhen për to çdo ditë.

Por sigurisht që shëndeti është gjëja më kryesore për këdo dhe çfarë më shumë se për të ia vlen të sakrifikosh.

Personalisht vendosa të mundohem t’i bëj të dyja në mënyrën më të mirë që kam mundësi në këto momente pasi e gjithë lodhja që kam bërë çdo ditë rrezikonte të ngrinte po ashtu.

Ky vit është viti më i rëndësishëm i sportit në botë pasi janë Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Kisha programuar një fazë të dytë përgatitore në Kenia dhe vendosa mos ta anulloj edhe përse çdo gjë ishte në fije të perit pasi çdo ditë që kalonte vendet bllokonin fluturimet, dhe sot pikërisht sapo arrita edhe Kenia i bllokoi.

Gjithsesi për mua është një vend i sigurt pasi nuk kam kontakte me njerëz, e gjithë dita është: stërvitje-ushqim- fjetje dhe këtë kam shumë vite që e bëj.

Pra është një karantinë që unë e bëj pothuajse çdo periudhë të vitit, madje dhe pa familjen pranë.

A është e vështirë?

Sigurisht që po, por mendoj që asgjë e mirë nuk vjen pa sakrificë.

Prandaj sot le të sakrifikojnë të gjithë sado pak duke qëndruar sa më shumë në shtëpi e duke ndihmuar në shëndetin e tyre, familjarëve e të gjithë atyre që i rrethojnë e pse jo të shohin dhe anën pozitive të kësaj situate. Personalisht do doja shumë të qëndroja në shtëpi me familjen pasi është një nga gjërat që më mungon më së shumti.

Uroj shumë që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt dhe teë gjithë t’i rikthehen rutinës së përditshme”. /vipsport