Në tavolinën e Mohamed Salahut ka një ofertë, e cila e ka tunduar atë që të transferohet në Arabinë Saudite tek Al-Itihadi. Kampionët sauditë janë të dëshpëruar për të nënshkruar me sulmuesin e Liverpulit si imazhi i ri i Ligës Pro Saudite.

Al-Itihadi, i cili menaxhohet nga ish-trajneri i Totenhemit dhe Uolvesit, Nuno Espirito Santo, i ka ofruar Liverpulit 150 milionë paund për superyllin egjiptian, sipas “The Sun”.

Një kontratë pesëvjeçare është në tavolinë, me një pagë bazë gati 100 milionë paund, një avion privat ose bileta avioni të pakufizuara për familjen e tij dhe një ofertë për t’u bërë ambasador për turizëm dhe investime në Arabinë Saudite, gjë që do ta rriste më tej rrogën e sulmuesit.

Në total, marrëveshja do të linte pas pagën prej 173 milionë paundësh të Kristiano Ronaldos tek Al-Nasri. Pjesë e ofertës është zbuluar se është edhe mundësia për të pasur aksione te një klub saudit në të ardhmen.

Oferta ka ngjashmëri me atë që joshi Dejvid Bekhamin të firmoste në MLS në vitin 2007. Kur legjenda e Anglisë u largua nga Reali drejt Los Anxheles Galaksisë, një pjesë e marrëveshjes i mundësoi atij të themelonte klubin e tij në të ardhmen. Al-Itihadi është i dëshpëruar për të transferuar 31-vjeçarin dhe do të bëjë presion deri në fund të merkatos, e cila në Arabi zgjat deri më 20 shtator.

Por tashmë sulmuesi egjiptian mësohet se i ka kërkuar largimin Liverpulit, pavarësisht se ai firmosi një kontratë të re trevjeçare në “Anfield” verën e kaluar, që e bëri atë lojtarin më të paguar në historinë e Liverpulit me rreth 400.000 paund në javë.

E vetmja mënyrë se si trajneri Jyrgen Klop do ta lërë atë të largohet, është nëse sulmuesi që ka shënuar 187 gola me “reds”-at, do të kërkojë transferimin dhe mësohet se ai e ka bërë diçka të tillë.

FELIKS KANDIDAT – Liverpuli po synon një transferim të ish-yllit të Çelsit, Zhoao Feliks. Sulmuesi portugez po vlerësohet si një zëvendësues i mundshëm i Mohamed Salahut nëse ai largohet nga “Anfield Road” këtë verë.

zhoao feliks

Dhe sipas gazetës portugeze “A Bola”, Feliks është një kandidat i mundshëm dhe mund të jetë i disponueshëm për 60 milionë paund.

Megjithatë, anglezët do të përballeshin me konkurrencën për të firmosur me yllin e Atletikos së Madridit me Benfikën, Barcelonën dhe Al-Hilalin.