Skuadra matjane nis sot (e hënë) ciklin e zakonshëm javor të përgatitjeve, duke u fokusuar te dy sfidat që i presin në “Liri Ballabani”, fillimisht përballja e Kupës ndaj Kastriotit të mërkurën dhe më pas ndeshja e kampionatit ndaj Skënderbeut në fundjavë.

Ndërprerja e kampionatit erdhi në momentin e duhur në kapin matjan, gjë të cilën e pranoi edhe trajneri Samuel Nikaj në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”. Trajneri tregoi edhe objektivat e skuadrës në dy ndeshjet e kësaj jave, ku në Kupë synojnë kualifikimin. “Ndërprerja e kampionatit erdhi në momentin e duhur. Na duhej pak pushim për të rikuperuar disa futbollistë.

Përgatitjet kanë vijuar normalisht dhe me intensitet të plotë. Jam i kënaqur me impenjimin e lojtarëve dhe tashmë jemi gati për sfidat që kemi përpara, të cilat do t’i luajmë në fushën tonë”, u shprehet fillimisht trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj. Në një kohë kur disa skuadra e shikojnë Kupën si objektiv dytësor, tekniku shkodran ka një qasje të qartë, ndonëse dihet se matjanët e shohin si të pamundur që t’i shkojnë deri në fund. Por ndeshja e turit të dytë të Kupës ndaj Kastriotit ka rëndësi të veçantë.

“Takimin e Kupës do ta vlerësojmë në të gjitha aspektet. Synojmë kalimin e turit dhe jemi përgatitur maksimalisht për ta arritur këtë”, shton trajneri shkodran. Kjo do të jetë përballja e dytë mes dy ekipeve këtë sezon. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Fushë-Krujë për javën e pestë, skuadrat u ndanë në barazim 1-1. Ndërsa sfida e Kupës mban peshën e vet, ajo ndaj Skënderbeut në kampionat pritet të jetë edhe më vendimtare për matjanët, pasi mund t’i përfshijë plotësisht në garën për vendin e dytë.

Kjo përballje e startit të fazës së dytë është edhe një mundësi e mirë për matjanët për të treguar se humbja në start në Korçë, 3-0, ka qenë aksidentale për skuadrën e trajnerit Nikaj. Dihet që Skënderbeu ka dominuar fazën e parë të kampionatit dhe kryeson i vetëm me 7 pikë diferencë nga Laçi i vendit të dytë. Ndërkohë, Burreli në 11 javë ka grumbulluar 16 pikë dhe mban vendin e pestë, duke qenë 5 pikë larg vendit të dytë