Matianët e kanë marrë seriozisht sezonin e ri futbollistik. Drejtuesit e Bashkisë Mat dhe ato të KF Burreli janë të vendosur ta çojnë skuadrën një kategori më lart.

Pasi kanë siguruar lojtarë cilësorë, nga klubet shqiptare dhe të huaja, tekniku Samuel Nikaj nisi stërvitjen, me dy seanca në ditë, duke përgatitur mirë fizikisht dhe taktikisht lojtarët.

Ndërkohë prej dy javësh Burrel ka zhvilluar disa ndeshje miqësore me të rinj të klubeve të tjera dhe me skuadra të Superligës. I ka fituar të gjitha përballjet, madje me rezultate bindëse. Ditë më parë matianët mundën Kastriotin, ndërsa sot kanë mundur në transfertë Bylisin, me rezultatin e pastër 2-0.

Trajneri Nikaj tha se ndeshja ishte mjaft e bukur dhe e fortë. “Lojtarët m’u përgjigjën në çdo aspekt dhe për këtë jam i kënaqur. Performanca e lojtarëve që luajtën ishte e mirë. Por, vend për përmirësime ka përherë”, nënvizoi Nikaj.