Vllaznia është një çështje e të gjithë shkodranëve dhe për më tepër e atyre që merren me futboll. Ish-zv/trajneri i skuadrës kuqeblu dhe tashmë tekniku aktual i Pogradecit, Samuel Nikaj, ka folur për disa tema rreth shkodranëve, por edhe për ndeshjen që Vllaznia do të ketë ndaj Linfield.

Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, ai tha se kuqeblutë e kanë detyrim kalimin e turit, pavarësisht kundërshtarit. Për “Shkodra Sport”, Nikaj u shpreh se tifozëria e Vllaznisë është më e mira në Shqipëri dhe do ta ndihmojë ekipin e vet, sidomos në ndeshjen në Shkodër, ndërsa theksoi se duhet një organikë sa më e plotë që të synohet titulli kampion vitin e ardhshëm.

Kujtojmë këtu se, në karrierën e tij si trajner, Nikaj ka arritur të ngjisë në elitë tri skuadra. Fillimisht ngjiti Flamurtarin e Prishtinës, më pas Kastriotin e Krujës dhe Vushtrrinë në Superligën e Kosovës, teksa tashmë drejton Pogradecin. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-Nikaj, Vllaznia është në prag të ndeshjes me Linfield, si e shikoni këtë duel?

Unë jam i mendimit se Vllaznia e ka detyrim kalimin e turit, pavarësisht se ka përballë një kundërshtar serioz si Linfield. Ta shohim, por besoj se Vllaznia do t’ia arrijë me sukses të kapë synimet e veta.


-Nikaj, sipas jush, a është më pozitiv apo negativ fakti që ndeshja e parë do të luhet në transfertë?

Sigurisht, ndeshja e kthimit në fushën tonë, të jep një avantazh të konsiderueshëm, pasi tifozëria jonë është numër një në Shqipëri. Kam përshtypjen se tifozët e Vllaznisë do të dijnë ta shtyjnë skuadrën përtej limiteve të saj.


-Vllaznia mori një fitore dhe dy barazime në miqësoret në fazën përgatitore, si e gjykoni ju një diçka të tillë?

Në ndeshje miqësore nuk ka rëndësi rezultati. Me rëndësi është që skuadra të “kolaudohet” si duhet dhe të kuptojë sa më mirë filozofinë e trajnerit Memelli.

-A mendoni se Vllaznia ka nevojë ende edhe për afrime të tjera?

Unë mendoj që Vllaznia është skuadër e madhe, pavarësisht se kemi 22-vite pa titullin kampion. Prandaj, duhet një organikë sa më e plotë që të synohet titulli. Të paktën, kështu e mendoj unë.

-Si e shikoni të ardhmen e Vllaznisë dhe cilat mendoni se do të jenë objektivat e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm?

Së pari, objektivat duhet t’i shpallin drejtuesit, ndërsa unë si tifoz i Vllaznisë shpresoj të ndërtohet një skuadër për titull. Unë mendoj se duhet të merren së paku edhe tre futbollistë të tjerë që bëjnë diferencën në fazën ofensive.
Maringlen ZHIVANI