Nga Endri ÇINARI
E gjeti sërish rrjetën në barazimin e fundit 1-1 kundër Erzenit, për tu ngjitur në kuotën e 17 golave këtë edicion. Fjala është për Bekim Balajn, i cili me rrjetat e tij po udhëheq Vllazninë drejt sukseseve dhe vendeve të para të renditjes. 33-vjeçari shënoi mjeshtërisht me kokë kundër shijakasve, pas një krosimi mjaft të bukur nga Boshnjaku.
Por kuqeblutë duket se kanë një “varësi” nga shtatlarti, pasi në momentet kur Balaj nuk gjen golin, ekipi ka vështirësi për të arritur sukseset. Mjafton të shikosh 5 ndeshjet e fundit në kampionat për të kuptuar rëndësinë e ish-sulmuesit të kombëtares. Duke nisur nga rrjeta në barazimin 1-1 kundër Erzenit. Në një ndeshje ku Balaj nuk gjeti golin, Vllaznia u mposht 2-0 nga Kukësi.
Po ashtu në fitoren e javës së 27-të kundër Skënderbeut, do ishte një gol i Balajt nga penalltia që do i jepte 3 pikët për shifrat 1-0 kuqebluve. Fitorja 3-1 kundër Tiranës po ashtu mban firmën e Balajt, kjo pas dopietës së tij dhe golit të shënuar nga Juric. Në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, ku ekipi ka marrë fitore dhe Balaj nuk ka shënuar është ajo kundër Dinamos me rezultatin 0-1.
Gjithçka në atë duel do vendosej nga një gol spektakolar i Alivodes. Pra, në 5 ndeshjet e fundit në Superiore, Vllaznia ka shënuar 6 gola dhe 4 prej tyre mbajnë firmën e Balajt. Në fund të fundit kjo është detyra e sulmuesit, që ta dërgojë ekipin drejt sukseseve. Por, ekipi duhet të ketë edhe një “plan B”, në rastet kur sulmuesit kryesor nuk gjen rrugën e rrjetës./www.shkodrasport.com/