Vushtria është një ndër ekipet më konkurruese në Ligën e Parë që po zhvillohet në Kosovë për t’u ngjitur në Superligë, falë punës së palodhur dhe skemave të përgatitura nga trajneri i saj, Samuel Nikaj.

Në Kosovë, trajneri shkodran po kërkon të bëjë atë që di të bëjë më së miri, të marrë skuadrën nga Liga e Parë dhe ta dërgojë në elitë. Këtë gjë e ka bërë shumë herë, në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe suksesin kërkon ta përsërisë sërish në Kosovë.

Nikaj ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, teksa duke folur për vështirësitë që ka kaluar te Vushtria, u shpreh se probabiliteti për t’u ngjitur në Superligë ka rënë, megjithatë ai shprehet se janë brenda objektivave të klubit.

“Me thënë të drejtën, probabiliteti ka ra pak, sepse kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje. Distanca është 4 pikë me ekipin e Ferizaj.

Kemi përballë një ekip shumë të mirëorganizuar me një buxhet të lartë dhe kemi hasur vështirësi gjatë rrugës me thënë të drejtën. Megjithatë, ne jemi brenda atij objektivi, sepse në momentin e parë që kam shkuar aty, nuk ka qenë ideja për të dalë në Superligë.

Vetëm thjesht ka qenë ideja për të bërë një ekip të mirë konkurrues, sepse dihen problematikat që ka pasur dy vitet e fundit Vushtria. Besoj ia kemi arritur qëllimit. Ne jemi shumë afër play-offit, pasi kemi 8 pikë larg vendin e tretë. Atëherë, do ta provojmë me play-off.

Janë dy ndeshje play-off. Luajmë me të dytën e grupit tjetër, që gjasat janë që të jetë Liria e Prizrenit dhe atëherë luajmë me ekipin e tretë të Superligës.

Pra, janë dy ndeshje jetë a vdekje, sepse nuk lejohet asnjë lloj gabimi. Megjithatë, ne do të tentojmë. Nuk duam të lodhemi së tentuari.

Me thënë të drejtën, ajo pjesa e masivitetit, ku hyjnë tifozët ultras, hyjnë disa njerëz që e shohin futbollin pa inat dhe pa xhelozira, kështu janë shumë të kënaqur, sepse dihet çfarë pune është bërë për këtë periudhë kohe, sepse kemi marrë një klub që ka qenë në kuptimin e fjalës i shuar krejt, edhe emri për t’u shkrirë, sepse s’ka pasur më asgjë në atë farë klubit. Janë mbledhur disa lojtarë që kanë pasur edhe nga një vit që e kishin lënë sportin, janë afruar në ekip, sepse ne e llogaritëm për Ligën e Dytë.

Atëherë, në periudhën e dimrit, normalisht nuk mundesh të marrësh shumë lojtarë cilësorë, por edhe më vinte keq t’i heq ata lojtarë, të cilët pranuan të vijnë të luajnë në Ligën e Dytë. Kam vazhduar pak a shumë me atë kontigjent lojtarësh, me dy-tre përforcime.

Mendoj që, ne e kemi rritur shumë përformancën në këtë periudhë kohe, por ka edhe kundërshtarë që janë të fortë, siç është Ferizaj. Normalisht, aty si gjithkund, ka xhelozira, ka inate, flasin edhe keq, por ajo që mua më bën të jem krenar, janë pikët, sepse trajneri matet me pikë dhe me rezultate.

Kemi pasur një ecuri me 20 ndeshje pa humbje, 19 ndeshje kampionat dhe një ndeshje Kupe, që jemi eleminuar me penallti, pra i bjen që kemi pasur 20 ndeshje pa humbje. Kemi humbur ndeshjen e 21-të dhe me fakte reale, sepse ndeshja ka qenë në TV, jemi ndëshkuar prej dy episodeve, në mungesë të VAR, të cilat ishin të dyja në dëm tonin.

Nuk është se ishte arbitrimi i keq, se kishte tendencë a diçka, por dy gabime njerëzore, sepse ajo u pa që ishte njerëzore, ishin në dëmin tonë. Atë nuk mund ta quaj humbje reale.

Ishte një rastësi. Megjithatë, ne këtë javë u kthyem prapë te fitorja dhe do ia bëjmë hyzmetin deri kur të mos mundemi më që matematikisht kryhet puna, që s’kemi më gjasa.

Atëherë, normalisht do të dorëzohem, por mendoj që ka qenë sezon shumë pozitiv”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vushtrisë, shkodrani Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI