Vedat Muriqi vazhdon të shënojë me rregullsi në fazën përgatitore të Lacios, duke treguar se Mauricio Sarri ndoshta nuk gabohet që i beson aq shumë sulmuesit. “Pirati” ka shënuar edhe në miqësoren e sotme të Lacios ndaj Mepen, në barazimin 1-1 të ndeshjes që u zhvillua në Gjermani.
Sulmuesi ishte rreshtuar titullar nga trajneri, edhe pse në radhët e skuadrës janë kthyer Kaisedo, Imobile e Korrea.
Një zgjedhje që rezultoi e goditur, pasi Muriqi shënoi edhe sot, duke shfrytëzuar një pasim të artë të Felipe Anderson për të barazuar rezultatin në minutën e 19, pasi ekipi gjerman kishte shënuar i pari me Kruger.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund të sfidës, edhe pse Imobile kishte mundësinë për të mbyllur ndeshjen me fitore, pasi shpërdoroi një penallti.
Goli mund të ndihmojë Muriqin për të fituar vende në hierarkinë brenda skuadrës, pasi diskutohet se njëri mes tij dhe Kaisedos do t’i japë lamtumirën ekipit. Siç po shkojnë gjërat në këtë fazë përgatitore, duket se basti i Sarrit është për të zgjedhur sulmuesin e Kosovës para atij të Ekuadorit.