Kanë kërkuar gjatë, kanë provuar shumë mundësi e alternativa dhe në fund e kanë bindur të vinte në Shkodër. E kemi fjalën për sulmuesin Haris Dilaver. Boshnjaku që përveçse në vendin e tij ka provuar të luajë edhe në Greqi si dhe në Uzbekistan sezonin e kaluar, tashmë ndodhet në Shqipëri.

Në dy ndeshje ka shënuar dy gola dhe në Shkodër janë të kënaqur me të, por dëshirojnë që 30 vjeçari të vazhdojë të tregojë këtë formë edhe në të ardhmen në mënyrë që me lojën dhe golat e tij ta ndihmojë Vllazninë për të arritur objektivin e tij.

Po si erdhi Dilaver te Vllaznia? E zbulon zëvendëstrajneri Elvis Plori që në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Ne kemi bërë një merkato të studiuar dhe çdo lojtar që kemi marrë, e kemi kaluar me imtësi në sitën tonë.

Po ju zbuloj një fakt: Vetëm për sulmuesin Dilaver unë mund të kemi parë rreth 30 ndeshje të tij. Dhe pasi jemi bindur se na bën punë, kemi ngulur këmbë për ta sjellë në Shkodër”.

Duke folur më tej në lidhje me merkaton, Plori do të shtonte: “Kemi vepruar me shumë kujdes në merkato. Ka qenë drejtori sportiv Djarmati që kryesisht propozonte emrat e lojtarëve, e kemi shqyrtuar dhe e kemi vendosur të gjithë bashkë.

Kuptohet që mund të kemi bërë edhe gabime, por jemi munduar të bëjmë një merkato sa më të sukseshme dhe shpresojmë që kjo ta japë efektin e vet në rezultate që do të arrijë skuadra gjatë sezonit”.
/SHKODRA-SPORT.COM/