Viti 2023 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme te Tirana, pasi skuadra ka përjetuar një situatë të pazakontë për një klub si ai bardheblu i cili nëpërmjet pjesëmarrjes në Europë ka siguruar të ardhura të rëndësishme nga UEFA.

Skuadra ka bojkotuar stërvitjen e parë të vitit pasi nuk është paguar në kohë nga drejtuesit, duke krijuar një situatë që nuk ishte përjetuar te kampionët në fuqi në vitet e fundit.

“Panorama Sport” ka mësuar se futbollistët nuk kanë dalë në stërvitje e parë që ishte planifikuar ditën e djeshme, pasi kanë kërkuar që të paguhen për dy muajt e fundit. Mësohet se kjo është vonesa që klubi u detyrohet atyre, ndërsa për stafin teknik dhe mjekësor, vonesa arrin deri në 4 muaj rroga të padhëna.

Pritet që drejtuesit të vihen në lëvizje për të zgjidhur sa më parë këtë telash, para se situata të bëhet problematike duke rrezikuar të pasqyrohet edhe në fushën e lojës. Paralelisht me ngërçin me lojtarët, Tirana është e bllokuar edhe nga FIFA dhe nuk mund të bëjë merkato, pasi i janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të mospagesave të detyrimeve ndaj ish-futbollistëve.