Ka vetëm pak kohë në Belgjikë dhe menjëherë ka rënë në sy për veçantitë e tij në lojën e futbollit. Serjan Hotaj është 16 vjeçari nga Shkodra që ndodhet prej afro një viti në Belgjikë. Menjëherë sapo ka mbërritur atje është aktivizuar me skuadrën e qytetit të tij të ri. Hotaj ka zënë një vend titullari me skuadrën e Kfch Sinaai. Në këtë qytet ai jeton bashkë me familjen e tij. Edhe pse nuk ka shumë kohë që është pjesë e kësaj skuadre, ka arritur të jetë ndër futbollistët më të rëndësishëm aty.


Shquhet për shpejtësinë, fuqinë dhe saktësinë e tij, veti të cilat kanë bërë që belgët ta konsiderojnë si një nga më të mirët e ekipit. Hotaj nuk ka provuar më parë ndonjë ekip në Shkodër por asnjëherë nuk i ka munguar dëshira për futbollin dhe gjithnjë e ka praktikuar këtë sport të dashur për të. Sapo ka mbërritur në Belgjikë ka tentuar që pasionin ta kthejë në profesion. Me kushte komode e patjetër shumë herë më mirë se sa mjedisi shqiptar i futbollit ka testuar veten dhe në pak kohë rezultoi i suksesshëm. Djaloshi shkodran bën pjesë në ekipin U- 17 të Kfch Sinaai që është skuadra e qytetit Sint- Niklaas. Duket se gjithçka atje po i shkon mirë dhe me shumë gjasa në një të ardhme të shpejtë mund të jetë me ekipin e U-19 çka do të ishte një arritje dhe një ndihmesë e fortë për të përmbushur misionin e tij. Hotaj luan si mesfushorë i majtë dhe sipas kërkesave të trajnerëve di të bëjë mirë edhe rolin e sulmuesit. Deri tani Hotaj është aktivizuar në 15 ndeshje zyrtare dhe ka realizuar 6 gola. Kampionati ka patur shkëputje sezonale e nganjëherë ndeshjet janë pezulluar edhe për shkak të dëborës gjë e cila nuk i ka dhënë mundësi që të luaj më shumë me ekipin e tij. Shkodrani shprehet i kënaqur me ekipin e tij dhe është shumë optimist për të ardhmen që e pret. “Jam shumë i kënaqur këtu në Belgjikë me skuadrën ku luaj. Mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe them se ia kam arritur. Natyrisht që nuk është e lehtë, por me shumë punë kam arritur që në një kohë të shkurtër të jem në formacionin e parë. Kjo më gëzon shumë dhe më bën që të punoj edhe më fort në mënyrë që një ditë jo shumë të largët të arrij ta bëj realitet ëndrrën time përsa i takon futbollit. Do të vazhdoj në këtë rrugë dhe pse jo një ditë mund të vesh fanelën e ndonjë ekipi europian”. I pyetur për lidhjet e tij me Shkodrën e skuadrën e Vllaznisë, Hotaj thotë se ka një ndjenjë shumë të fortë dhe tregon se është përherë prezent duke ndjekur çfarë ndodh edhe pse largësia ia bën disi të vështirë. “Unë jam në shkollë e po ashtu edhe stërvitem me skuadrën dhe koha që më mbetet është e pakët por këto angazhime nuk më kanë penguar asnjëherë që ta ndjek në çdo ndeshje Vllazninë përmes ekranit apo lajmeve sportive që transmetohen apo përcillen përmes faqeve në internet. Kur kam qenë në Shkodër e kam ndjekur kudo Vllazninë edhe pse në moshë të vogël. Ajo është skuadra ime e zemrës dhe nuk do ta tradhëtoj asnjëherë. U gëzova shumë sëfundmi që ekipi im arriti të ringrihet dhe shpresoj se do të arrij ta gjejë rrugën e tij drejt suksesit” – shprehet Hotaj. Shkodrani ka një moshë të re dhe natyrisht një rrugë të gjatë për të bërë por ai është shumë i vendosur në qëllimin e tij. 16 vjeçari Hotaj ka ambicie dhe ndodhet në rrugë të mbarë. Ai beson që një ditë do ta realizojë dëshirën e tij për të luajtur në një prej kampionateve më cilësore të Europës.

Senad NIKSHIQI