Elementët e spikatur tek ekipet e Akademisë Vllaznia janë disa. Në grupmosha dhe në pozicione të ndryshme. Sot do të flasim për një nga futbollistët e evidentuar tek ekipi U17 dhe jo më kot mban edhe shiritin e kapitenit të tij.

Nga ana tjetër, në ndeshjen e sotme ndaj Kukësit ka qenë një nga protagonistët krysorë për skuadrën e tij.

Jo vetëm se ka shënuar golin e dytë, atë që konsolidoi fitoren, por edhe sepse i është anulluar edhe një tjetër dhe po ashtu, ka rënë në sy për gjithë performancën e shfaqur.

Kemi të bëjmë me një lojtar i cili luan në rolin e mesfushorit të avancuar. Preferon krahun e majtë teksa shërben jo vetëm për sulmuesin kryesor të ekipit por edhe herëpashere tenton vetë të shënjestrojë portën kundërshtare.

Megjithatë Hotaj e bën mirë punën e tij edhe në manovrën difensive të skuadrës së tij.

I datëlindjes 9 qershor 2002, Serxhio konsiderohet një element i së ardhmes për Vllazninë megjithatë i duhet të vazhdojë të punojë fort sepse vetëm kështu mund t’ia dalë të realizojë ëndërrat e tij.
© shkodrasport.com