Tek Lacio po rritet një tjetër talent shqiptar. Bëhet fjalë për Serxhio Kalajn, lojtarin me origjinë nga Vukpalaj e Bajzës. Në ndeshjet e fundit, trajneri Inzagi e ka grumbulluar me ekipin e parë dhe padyshim që kjo gjë e ka lumtuar pa masë futbollin që vetëm pak ditë më parë ka
mbushur 19 vjeç dhe nga sa shihet, e pret një e ardhme e ndritur në futbollin italian.
Po kush është Serxhio Kalaj?
Ka lindur në Itali më 28 janar 2000. Babai i tij kishte emigruar herët nga Shqipëria duke lënë përgjysëm një pasion të madh: futbollin. Luka është marrë me futboll dhe ka luajtur deri me të rinjtë e Besëlidhjes (ngaqë për disa vite ka jetuar në Lezhë tek i vëllai), por më pas e
ndërpret karrierën e tij në moshën 19 vjeçare për të nisur emigrimin në Itali.
Aty ku pasionin e tij do t’ia transmetonte të birit- Serxhios.Ky i fundit e fillon futbollin 5 vjeç e gjysëm duke luajtur me një ekip në Mario Laziale, vendin ku jetonin ndërsa në moshën 9 vjeçare kalon tek një skuadër diletante- Savio e cila ishte ndër më të mirat në Romë.
Me të luan për 7 vjet dhe arriti bashkë me këtë skuadër që në moshën 15 vjeçare të shpallej Kampion i Italisë për moshën 2000. Gjashtë muaj më vonë e ka thirrur kombëtarja e Italisë U16 për amatorët dhe po atë vit, me skuadrën e tij shpallej edhe kampion i rajonit.
Ky ka qenë viti i fundit që Serxhio luajti me amatorët sepse me paraqitjet e tij të mira kishte bërë emër dhe shumë ekipe filluan ta kërkojnë. Më shumë nga të gjitha ka qenë Roma që ka dashur të marrë kartonin e tij dhe me të luajti një vit.
Po gjatë kësaj periudhe, i erdhi edhe ftesa nga Kombëtarja U17 e Shqipërisë prej trajnerit Mustedanagiç dhe Kalaj u bë pjesë e saj duke luajtur edhe në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian që u zhvilluan në Ravena.
Në fund të këtij viti, duket se Igli Tare e kishte patur nën vëzhgim dhe e mori tek Lazio me të cilën është viti i dytë që luan. Po ashtu, Kalaj vazhdoi të grumbullohet edhe ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, këtë herë me ekipin U19 që drejtohej nga Erion Bogdani.
Ndërkohë nisur nga paraqitjet e mira me ekipin e të rinjve të Lazios, trajneri i ekipit të parë Inzagi e ka vëzhguar dhe kohët e fundit e ka grumbulluar me ekipin e parë ku jo vetëm po stërvitet me të, por edhe në tre takimet e fundit zyrtare ka qenë pjesë e 18-shes së saj.
Serxhio Kalaj luan në rolin e qendërmbrojtësit, ku tek Lazio aplikohet mbrojtja me 3 lojtarë dhe në fakt ai i bën të tre rolet. I gjatë 1.93 metra, kuptohet që shquhet për lojën në ajër megjithatë edhe me këmbë është shumë i saktë.
Në pamje të parë kemi të bëjmë me një futbollist shumë të kompletuar tek i cili jo më kot drejtori i Lazior Tare dhe trajneri Inzagi kanë hedhur sytë që tani dhe me siguri që po planifikojnë diçka për këtë lojtar për sezonin e ardhshëm.
Djaloshi me origjinë nga Vukpalaj e Bajzës padyshim që ka dëshirë të ecë më përparë në karrierë me ekipin e Lazios por pa lënë kurrsesi mënjanë kombëtaren kuqezi dhe ëndrra e tij është të veshë sa më parë fanellën e ekipit të parë, për ta nderuar ashtu siç duhet atë.
Paraqitje të tilla i kanë bërë me krahë pjestarët e familjes Kalaj e cila duket se është e lidhur ngushtë me sportin sepse edhe dy pjestarë të tjerë të këtij fisi, Orion dhe Aristidi po spikasin në boks dhe futboll, duke përfaqësuar denjësisht vendin e tyre në shtetin fqinj.
Gjergj KOLA