Makineria e golave ka tani katër javë pushim. Robert Levandovski e mbylli sezonin, duke shënuar për kombëtaren e tij, ashtu siç e nisi me Bajernin. Për Poloninë, 30-vjeçari realizoi golin e 2-0 në “pokerin” ndaj Izraelit në kualifikuesen e “Euro 2020”. Ishte goli i dytë i bomberit të Bajernit në 4 kualifikueset e deritanishme.
Së bashku me yllin e Milanit, Kristof Piontek (23-vjeçari ka shënuar 3 gola deri tani), kapiteni i Polonisë krijon një superdyshe sulmi. “Në fund, ishte thjesht një sezon shumë pozitiv”, tha Levandovski pas ndeshjes me përfaqësuesen.
Pas fitores së katërt në po kaq ndeshje në këto kualifikuese, tashmë ai do kalojë një muaj së bashku me familjen, gruan e tij Ana dhe vajzën 2-vjeçare Klara, derisa të vendoset sërish nën urdhrat e trajnerit Niko Kovaç më 8 korrik. “Bild” u ka bërë një përmbledhje statistikave me të cilat 30-vjeçari e mbylli sezonin?
STATISTIKAT
– 40 gola në 47 ndeshje zyrtare në total. Çdo 104 minuta e gjeti rrjetën Robert Levandovski gjatë sezonit 2018-’19. – 22 gola në Bundesligë. Katër më shumë sesa vendi i dytë, sulmuesi 25-vjeçar i Dortmundit, Pako Alkaser.
– U shpall për herë të katërt golashënuesi më i mirë i Bundesligës: (2014, 2016, 2018, 2019). Vetëm legjenda Gerd Myler e ka fituar “Këpucën e Artë” më shumë se ai. 73-vjeçari ka tre trofe më shumë.
– Në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së Bundesligës, Leva renditet në vend të pestë: 202 gola. Sezonin e ardhshëm, vendi i katërt i Manfred Burgsmylerit (217 gola) dhe ai i treti, i Jup Hajnkesit (220 gola) është në rrezik. Por Klaus Fisher (268 gola) dhe Gerd Myler (365) janë ende larg.
– Prej këtij sezoni, ai është edhe golashënuesi më i mirë i huaj i kampionatit gjerman. Dueli me veteranin e Bremenit, Klaudio Pizarro (40-vjeçari ka shënuar 197 gola), do të vijojë edhe për një tjetër vit.
– Tetë gola në tetë ndeshje të Ligës së Kampioneve. Vetëm Lionel Mesi shënoi më shumë: 12 gola. – Në ndeshjen e parë të sezonit, polaku e nisi me një tripletë, në fitoren 5-0 në finalen e Superkupës kundër Aintrahtit të Frankfurtit.
– 12 dopieta gjatë një sezoni, përfshirë në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalen e Kupës së Gjermanisë.
– Gjashtë finale në Berlin ishte rekordi që vendosi pas fitores së Kupës së Gjermanisë ndaj Lajpcigut (3-0).
– Përveç dy ndeshjeve: 1-1 kundër Augsburgut dhe 2-1 ndaj Rëdinghauzenit, Leva ka qenë gjithnjë në fushë për Bajernin.