Redi Jupi e sheh gotën gjysmë plot dhe mendon se futbollistët duhet të lejohen të rinisin stërvitjet, pasi fatmirësisht vendi jonë nuk po përjeton një skenar si ai i Italisë. Ish-futbollisti, për Supersport, thekson se stërvitja duhet të konsiderohet te fasha e parë, pra te aktivitetet që do të hapen të parat, pasi më shumë rrezik ka hapja e një dyqani se stërvitjet.

Për Jupin nëse aktiviteti fillon në maj, atëherë kampionati përfundon në korrik dhe futbollistët do kenë mundësinë të pushonin e të përgatiten për sezonin e ri.

“Periudha aktuale është e vështirë. Askush nuk e mendonte se do rrinim dy muaj pa aktivitet, pa bërë gjërat e përditshme, stërvitje. Situata po vjen e rëndohet. Futbolli është futur te fasha e tretë, me rrezikshmëri të lartë”.

Apeli- “Duhet t’u bëjmë me dije instancave, që stërvitjet nuk mund të futen te fasha e tretë. Po na mungon stërvitja. Ne nuk jemi si dyqan, që ngre grilën dhe vazhdon puna normalisht. Ne na duhet një muaj të jemi gati për të arritur te ndeshjet. Ne nuk jemi si Italia.

Numri i të shëruarve po shkon më i lartë se ata që preken. Keqardhje për ata që kanë vdekur. Numrat janë të ulët dhe më vjen keq të flas për to. Hapja e dyqaneve sjell më shumë risk se një seancë stërvitore. Risku është më i ulët edhe se të rrish në shtëpi. Duhet ndarë stërvitja dhe ndeshjet.

Edhe ndeshjet janë të kategorizuara, pasi në derbi kemi 20 mijë vetë dhe në ndeshje të tjera 100 vetë. Duhet të futet stërvitja te fasha e parë. Nuk bëhet fjalë për 10 skuadra, por për shumë fëmijë që stërviten. Normal duhen marrë masa, por ka mënyra. E para është që të kategorizohemi te fasha e parë. Duhet një plan për stërvitjen dhe për ndeshjet.

Duhen rregullat dhe kalendarët. Në fillim të majit duhet të nisin stërvitjet. Për 16-17 ditë është gati të zhvillojë ndeshjet. Ky është skenar optimist, që unë e quaj realist. Nëse nisin në fund të majit, e mbyllin gjithçka në korrik. Kjo do t’u jepte mundësinë lojtarë të pushonin dhe të ishim gati për sezonin e ri. Kjo do të ishte një situatë normale. Do më vinte çudi nëse do veprohet ndryshe”, u shpreh Jupi./vipsport/