Lajme të mira për kryetifozin e Vllaznisë Tut Rrahmani. Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm dhe pas disa ditëve qëndrimi i shtruar në spital në Tiranë, tashmë është rikthyer në shtëpi dhe po qëndron në shtëpinë e tij.
Tuti gati një muaj më parë kaloi një moment të vështirë si pasojë e hemoragjisë cerebrale dhe nisur nga kjo gjendje e rënduar, ai u shtrua urgjentisht në spitalin e kryeqytetit ku dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrja nuk ka qenë aspak e lehtë, por mjekët ia kanë dalë ta rikthejnë në nornalitet.
Dhe tashmë prej disa ditësh ndodhet në shtëpi, pranë njerëzve të tij të dashur. Kuptohet që do ende edhe disa kohë që ai të bëhet ashtu si duhet dhe ta shohim sërish në stadium me borinë e tij për të mbështetur Vllazninë, megjithatë e rëndësishme është se gjendja e tij ka ardhur duke u përmirësuar.
Tut Rrahmani e fitoi “ndeshjen” e tij, tashmë është rradha e Vllaznisë për t’i dhuruar një fitore në ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës. Fitore që do ta ndihmonte për t’u ngritur sa më shpejt në këmbë dhe për të qenë përsëri bashkë me tifozët e tjerë në shkallët e stadiumit.
Burimi; Gazeta “Shkodra Sport”


