FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREForma pozitive, mesfushori 'garanton' për Vllazninë

Forma pozitive, mesfushori ‘garanton’ për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Edon Murataj po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Vllaznisë në këtë fazë të kampionatit. Mes ulje-ngritjeve që kanë shoqëruar skuadrën shkodrane në shtatë javët e para të Superiores, mesfushori me pasaportë belge ka arritur të spikasë me paraqitjet e tij, duke u kthyer në një prej pikave më të besueshme të kuqebluve. Me fanellën me numrin 11, ai po dëshmon se mund të bëjë diferencën, veçanërisht në fazën sulmuese.

Përtej kontributit në lojën e skuadrës, Murataj ka qenë edhe një prej futbollistëve më rezultativë të Vllaznisë. Deri më tani, ai ka shënuar dy gola në kampionat, duke ndarë vendin e parë në listën e golashënuesve të ekipit me kapitenin Bekim Balaj. Një tregues që flet për rëndësinë e mesfushorit në repartin ofensiv, por edhe për aftësinë e tij për të qenë vendimtar në momentet kur skuadra ka nevojë për një zgjidhje përpara portës kundërshtare.

Megjithatë, kontributi i 24-vjeçarit nuk kufizohet vetëm te golat. Lëvizjet pa top, aftësia për të lidhur repartet dhe për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës janë elemente që e bëjnë atë një futbollist me peshë në lojën e Vllaznisë. Pikërisht për këto cilësi, nga Murataj pritet edhe më shumë në vazhdim, si nga tifozët shkodranë, ashtu edhe nga stafi teknik, që e njeh potencialin e tij dhe kërkon ta shohë gjithnjë e më të qëndrueshëm në paraqitje.

Një tjetër sinjal pozitiv u pa edhe në transfertën ndaj Egnatias, pavarësisht humbjes 3-1 të kuqebluve. Murataj ishte protagonist në aksionin e golit të Daniel Perez, duke dhënë një vertikalizim të saktë për Bekim Balajn, i cili më pas shërbeu për sulmuesin venezuelian, që nuk gaboi përballë portës. Një aksion që tregoi vizionin dhe aftësinë e mesfushorit për të gjetur zgjidhjet e duhura në fazën e avancuar.

Përveç këtij kontributi, Murataj pati edhe dy mundësi të mira personale për të shënuar, por nuk arriti t’i shfrytëzonte. Nëse do të kishte qenë më i saktë në finalizim, ai mund të kishte ndikuar ndjeshëm edhe në ecurinë e takimit. Gjithsesi, paraqitja e tij në Rrogozhinë konfirmoi se mesfushori po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe po bëhet një nga lojtarët që mund të udhëheqin lojën sulmuese të shkodranëve.

Tashmë, vëmendja e Muratajt dhe e gjithë Vllaznisë është përqendruar te sfida e radhës, klasikja ndaj Tiranës. Një përballje me rëndësi të veçantë për kuqeblutë, të cilët kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive, ndërsa numri 11 do të synojë të vazhdojë formën e mirë dhe të japë një tjetër kontribut vendimtar. Me dy gola të shënuar dhe një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në lojën e skuadrës, Murataj ka mundësinë të konfirmojë se është një nga njerëzit e momentit te Vllaznia.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments