Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përgatitet për një nga përballjet më të rëndësishme të javës së tetë të “Abissnet Superiore”, atë ndaj Tiranës, me shkodranët që synojnë të rikthehen te rezultatet pozitive pas humbjes 3-1 ndaj Egnatias. Pavarësisht disfatës në Rrogozhinë, në kampin kuqeblu duket se mbizotëron një atmosferë optimiste, me skuadrën që e ka të qartë objektivin për klasiken e futbollit shqiptar. Përballë rivalëve historikë, fitorja është alternativa e vetme që do të kënaqte pritshmëritë e tifozëve dhe do t’i jepte ekipit një shtysë të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit.
Në Shkodër, vëmendja është përqendruar te përgatitjet për këtë takim, ku Vllaznia do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve. Humbja me Egnatian la pas disa probleme për t’u korrigjuar, por njëkohësisht skuadra tregoi se mund të krijojë raste dhe të jetë e rrezikshme në fazën sulmuese. Tashmë, sfida është që këto elemente pozitive të shoqërohen me më shumë ekuilibër dhe përqendrim gjatë gjithë 90-minutëshit.
Optimizmi në kampin shkodran duket se është reflektuar edhe në seancat stërvitore, ku lojtarët po punojnë me përkushtim për të qenë në formën më të mirë të mundshme përballë bardhebluve. Përtej aspektit taktik, rëndësi të veçantë merr edhe gjendja psikologjike e grupit, pasi një fitore në një përballje të tillë do të kishte vlerë të dyfishtë. Vllaznia kërkon të lërë pas zhgënjimin e javës së kaluar dhe të tregojë se humbja në Rrogozhinë nuk do të ndikojë në ecurinë e saj.
Trajneri Csaba Lazslo pritet t’i kushtojë vëmendje të veçantë organizimit të skuadrës, me synimin për të shmangur gabimet që kushtuan në transfertën ndaj Egnatias. Përballë Tiranës, kuqeblutë do të kenë nevojë për një lojë të kujdesshme në prapavijë, por edhe për më shumë efikasitet në momentet kur do të kenë mundësi të godasin kundërshtarin. Gjetja e ekuilibrit mes mbrojtjes dhe sulmit mund të jetë një prej çelësave për të arritur objektivin e tri pikëve.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në këtë përballje është mbështetja e tifozëve shkodranë. Në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh, të cilët synojnë të jenë pranë skuadrës në një moment kur ajo ka nevojë për reagim. Atmosfera që krijohet në shkallët e stadiumit mund t’u japë lojtarëve një motivim shtesë, sidomos në një duel me rivalitetin dhe historinë që mbart klasika ndaj Tiranës.
Në këto kushte, te Vllaznia duket se besimi për një rezultat pozitiv nuk mungon. Gjendja fizike dhe psikologjike e grupit shihet si një element inkurajues në prag të ndeshjes, ndërsa objektivi është i qartë: fitorja përballë bardhebluve. Për shkodranët, kjo nuk është thjesht një sfidë e radhës në kampionat, por edhe një mundësi për të reaguar pas humbjes së fundit, për të rikthyer entuziazmin në Shkodër dhe për t’u dhënë tifozëve një arsye më shumë për të besuar te skuadra kuqeblu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


