Sulmuesi shkodran Alen Vukaj ka lënë gjurmën e tij me të rinjtë e Interit në UEFA Youth League, duke gjetur rrugën drejt rrjetës në suksesin e zikaltërve ndaj Shakhtar Donetsk.
Paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga trajneri i skuadrës, Bigica, i cili vlerësoi përkushtimin e futbollistit dhe mënyrën se si po shfrytëzon mundësitë e dhëna. Pas ndeshjes, tekniku italian u shpreh i kënaqur me fitoren. Në prononcimin e tij, Bigica u ndal edhe te Vukaj, për të cilin rezervoi fjalë pozitive.
“Vukaj është një djalë që angazhohet shumë në stërvitje. Ai është i aftë për të shfrytëzuar mundësitë që po i jap”, deklaroi trajneri i Interit Primavera.
Për Vukajn, goli në UEFA Youth League dhe vlerësimi publik nga trajneri përbëjnë një moment të rëndësishëm, teksa synon të fitojë më shumë hapësira dhe të vazhdojë të bindë me paraqitjet e tij në fanellën zikaltër.


