Vllaznia “B” e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin duke i fituar të katër ndeshjet e para të tij dhe si rrjedhojë me 12 pikë të plota kryeson aktualisht e vetme renditjen. Fitorja e javës së kaluar në “Roza Haxhiu” ndaj Lushnjës ka qenë vërtetë shumë e rëndësishme sepse u arrit ndaj një rivali direkt.
Një fitore në tranfertë ndaj këtij kundërshtari “i ka bërë me krahë” futbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi. Për më tepër që pas kësaj ndeshje ka patur edhe një shpërblim special për ta nga ana e dashamirësit të këtij ekipi Mirsad Lami.
Kjo ka bërë që atmosfera në skuadër të jetë edhe më entuziaste dhe tashmë të gjithë pjestarët e skuadrës janë të motivuar në maksimum për të marrë edhe fitoren e pestë rradhazi.
Sfida e kësaj jave është një “derbi”, do të luhet ndaj KF Shiroka, pikërisht ditën e shtunë në ora 13:30 në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe te Vllaznia “B” janë të bindur se do ia dalin. Skuadra i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të qenë një ekip pretendent dhe këtë e ka treguar edhe në ndeshjet e para të këtij sezoni.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


